Published On: Wed, Aug 30th, 2017

Arben Malaj këshillon Edi Ramën për mandatin e dytë qeverisës…

Arben Malaj, ish-ministër i Finacave dhe ish-deputet i PS-së, vë theksin në performancën që duhet të tregojë qeveria “Rama2” në ekonominë e vendit. Në këtë kuadër, Malaj mendon se debati nuk duhet të përqëndrohet në formën apo përmbajtjen e një qeverie, por në efiçencën që duhet të tregojë ajo.

Në këtë kuadër, ai kujton edhe premtimin e bërë nga kryeministri se shteti do të ndërhyjë shumë më pak në sektorin e sipërmarrjes.

“Një qeveri konsiderohet e madhe ose e vogël në  raport me atë që prodhon ekonomia. Qeveria shqiptare vazhdon të jetë e vogël dhe mendojmë se përmasat e saj do të vijnë duke u rritur që të plotësojë shërbimet publike. Debati që shtrohet është: a do të jetë efiçente kjo qeveri? Një qeveri duhet të jetë e vogël në ndërhyrjen e saj në biznes. Duhet të ndërhyjë sa më pak dhe të krijojë sa më shumë kushte për biznesin. Kryeministri ka premtuar qeveri me ndërhyrje të  vogla, dhe kjo duhet testuar. Do shihet sa ulet papunësia, varfëria, sa rriten barazitë e mundësive për të qenë të suksesshëm”, tha Malaj i ftuar në studion e News 24.

Ndërkohë duke komentuar bashkimin e Ministrisë së Financave me atë të Ekonomisë, Malaj thekson se kjo është një praktikë e ndjekur në vendet e zhvilluara, por duhet parë nëse kjo shkrirje do të sjellë performancë pozitive.

“Në disa vende, Ministria e Ekonominë nënkupton biznesin, nxitja e tregtisë së lirë, pra ka një kuptim që janë bashkë. Është Ministri e madhe, duhet dalluar dhe punësimi. Sfida është me kohën, se qeveria mandatohet për 4 vite, duhet parë se sa kohë i duhet që të bëhet efektiv një mekanizëm i tillë”, tha Malaj.

I pyetur nëse qeveria “Rama1” tregoi apo jo performancë në terma ekonomikë, Malaj tha se rritja ekonomike kurrë nuk mjafton.

“Kemi pasur rritje ekonomike por kemi pasur thellim pabarazie. Kanë shkuar paratë vetëm në disa duar. Duhet të dalim nga përqindjet, nuk është vetëm rritja ekonomike. Ka dhe indikatorë të tjerë. E rëndësishme është që njerëzit të mos mbesin pa punë, se rritet dhe pakënaqësia, që ndikon në shoqëri”, shtoi ai. /tesheshi.com/