Published On: Wed, Aug 30th, 2017

Task force kundër drogës: 25 herë më pak kanabis i kultivuar se viti 2016 (video)

Në Shqipëri gjatë 2017-ës është mbjellë 25 herë më pak kanabis se një vit më parë. Shifra u bë publike nga Drejjtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, gjatë mbledhjes së Task Force për luftën kundër drogës.

“Rikontrolli masiv i territorit dhe bashkëpunimi me italianët, janë shkaku kryesor që sot kemi 25 herë më pak bimë të kultivuara se një vit më parë.

Janë goditur grupet kriminale, vijon puna për sekuestrimin e aseteve të tyre. Kemi kërkuar zbatimin e një plani me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale, automjetet luksoze që nuk justifikojnë burimin.

Gjithashtu policia është e angazhuar kundër çdo veprimtaria të paligjshme, përfshi këtu edhe ndërtimet paleje”, tha Çako.

Ndërkohë, i pranishëm në mbledhje, kryeministri kërkoi që lufta kundër kultivimit të kanabisit të shtrihet tek elementët kriminalë. Në këtë kuadër, Rama kërkoi një koordinim më të mirë mes policisë, tatimeve dhe agjensive ligjzabtuese për të goditur çdo aset që ka burim të ardhurat nga veprimtari të paligjshme.

Rama tha se sot lufta kundër drogës ka hyrë në një kapitull vendimtar, ndërsa shtoi se BE po mbështet me një fond zgjatjen e monitorimit nga ajri të territorit shqiptar.

“Po shkojmë drejt zmbrapsjes totale të kultivuesve të kanabisit në të gjithë territorin e vendit dhe pastrimit përfundimtar të hartës së Shqipërisë nga njolla e këtij fenomeni kriminal”, u shpreh Rama.

Në vijim ai shtoi se objektivi për luftën ndaj kanabisit tashmë është arritur.