Published On: Mon, Aug 28th, 2017

Struktura e re e qeverisë, ndryshimet në çdo institucion

Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, Edi Rama paraqiti emrat e kabinetit qeveritar, ndërsa më parë u paraqitën nga drejtuesit e grupeve të punës struktura e re e funksionimit të institucioneve. Ajo që dihet është shkrirja dhe bashkimi i ministrive, ndërsa pritet që shumë nga agjensitë shtetërore të kenë të njëjtin fat.
Kryeministri tha të dielë se Shqipëria renditet e para në rajon përsa i takon numrit të drejtorëve, duke paralajmëruar një shkurtim të tyre. Forma më e mirë, e provuar edhe më parë, është ajo e ristrukturimit të burimeve njerëzore, ku disa pozicione suprimohen, qoftë edhe përkohësisht. Duket se rruga që do të ndiqet është e njëjtë, pavarësisht se sot kjo shitet si një risi.
Ndaj nuk është çudi që vrulli, me të cilin kryeministri Edi Rama, i ka hyrë mandatit të dytë qeverisës të ndalet diku, dhe të kemi një përsëritje të tablove të mëparshme, ku fillimisht shkrihen dhe suprimohen pozicione dhe më pas krijohet një organizim i ri që është më i frikshëm se i pari, në numrin e punonjësve apo ofrimin e shërbimeve.

Por cila është skema që është propozuar dhe pritet të diskutohet në mbledhjen e Ramës me ministrat e emëruar, që do të mbahet në Vlorë? Më poshtë mund të shikoni se çfarë propozohet me kompetencat që do të kenë ministritë e reja, veçanërisht ato që janë formësuar nga shkrirja e dy të tillave.

Struktura e re

Ministria e Bujqësisë
Shkrihen Drejtoritë e Bujqësisë
(funksionet veterinare i kalojnë AKU/ ekstensioni dhe statistikat pranë Bashkive)

Shkrihet Inspektorati i Ujërave (funksionet kalojnë tek Inspektorati i Mjedisit dhe Pyjeve)

AKU (përqendron kontrollin e veterinarisë dhe kontrollin e ujit të pijshëm, nga Ministria e Shëndetësisë)

Krijohet Instituti i Kërkimit të teknologjive (përmbledh QTTB, Agjencinë e duhanit dhe Entin e farave dhe fidaneve)

Agjencite e Ujit dhe Baseneve i kalojnë Sekretariatit të Ujrave

Ministria e Financave
• Agjencia Kombëtare e të Ardhurave (bashkohet Drejtoria e Pergjithshme e Doganave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve)
• Shkrihet Qendra e Trajnimit te Administrates Tatimore dhe Doganore (funksionet kalojnë tek ASPA, Shkolla Shqiptare e Administratës Publike.
• Shkojnë drejt rajonalizmit Degët e Thesarit (pas përfundimit të dixhitalizmit)

Ministria e Shëndetësisë
• 4 Agjenci të Sistemit Shëndetësor Rajonal VS 11 Drejtori+ Autoriteti Rajonal Shëndetësor
• Shkrihet Qendra Kombëtare Edukimit në Vazhdim (funksionet kalojnë tek ASPA, Shkolla Shqiptare e Administratës Publike.
• Shkrihet Qendra Kombëtare e Biomjekësore (Funksionet delegohen tek FSDKSH per programet ne e-health si dhe tek spitalet ne lidhje me telemjekesine)

Ministria e Brendshme
• Agjencia e Inventarizimit të Pronave integrohet brenda Agjencise se re te Titujve të Pronësisë
• Krijohet Agjencia e Mbrojtjes Civile (përfshin Drejtorinë e rezervave materiale dhe emergjencat Civile)
• Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (kalon tek Ministria përgjegjëse për mbrojtjen e territorit)

Ministria e Mirëqënies Sociale
• 4 Drejtori të Shërbimit Social Shëndetësor VS 12 aktuale

Ministria e Arsimit
• Krijohet Agjencia e Sigurimit te Cilesise ne Arsimin parauniversitar (bashkon funksionet e Institutit të Zhvillimit të Arsimit dhe Inspektoriatit të Arsimit)
• 4 Drejtori te Sigurimit te Cilësise se Arsimit Parauniversitar VS 13 Drejtori Arsimore Rajonale
• Shkrihet Shtëpia Botuese e Teksteve Shkollore

Ministria e Ekonomisë
• Shkrihet Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë (funksionet i kalojne Inspektoriatit Teknik Shteteror dhe industrial)
• Drejtoria e Pėrgjithshme e Pronesise Industriale integrohet brenda QKB-së
• Krijohet Drejtoria e Akreditimit dhe Standartizmit (bashkon funksionet e dy drejtorive të akreditimit dhe standartizmit)

Ministria e Zhvillimit Urban
• Krijohet Fondi i Strehimit (shkrihet Enti i Banesave)
• Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) integrohet brenda Agjencise se re te Titujve të Pronësisë

Ministria e Mjedisit
• Krijohet Agjensia Kombetare e Mjedisit, Zonave te Mbrojtura (përthith funksionet e Agjencisë së Mjedisit dhe Agjencisë së Zonave të Mbrojtura) 4 VS 12 aktuale
• Krijohet Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Ujrave (bashkon funksionet e Inspektoritit të Mjedisit dhe Pyjeve me Inspektoriatin e Ujrave)

Inspektoratet:
Inspektorati qendror në krye
1. Inspektorati Shtetëror i Mjedisit
2. Inspektorati Shtetëror i Shëndetësisë dhe Ushqimit
3. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit
4. Inspektorati Shtetëror i Teknikës dhe Teknologjisë
5. Inspektorati i Punës dhe Çështjeve Sociale
6. Inspektorati Shtetëror i Transportit