Published On: Mon, Aug 28th, 2017

Fshati i mbushur me turistë shqiptarë vetëm 50 km nga …

Shëtitorja e shkurtër e Sivotas, fshati i vogël buzë detit, vetëm 50 km nga pika doganore e Qafë Botës në kufirin shqiptaro-grek është plot.

Rruga gumëzhin nga kalimtarët që shëtisin ngadalë duke lënë në njërin krah bregun e mbushur me jahte, skafe dhe barka të vogla dhe nga krahu tjetër dyqane të vogla suveniresh, restorante dhe bare.

Anglezë, gjermanë, italianë, grekë dhe shumë shqiptarë, midis tyre edhe fytyra të njohura të Tiranës.

Gati një në cdo tre apo katër makina të parkuara ngjitur me njëra tjetrën në rrugët e ngushta dhe të perpjeta të fshatit piktoresk që të shfaqet përballë pasi ke ecur vetëm gjysëm ore në zbritje nga Qafë Bota, janë me targa shqiptare.

Fatos Haxhiaj nga Krasi i Tepelenës punon prej 20 vitesh në hotelin më të njohur të fshatit, Filakas.

Na thotë që 4-5 vitet e fundit turistët nga Shqipëria janë shtuar shumë.

“Janë më së shumti nga Tirana dhe thuajse të gjithë janë familjarë. Marrin apartamentet më të shtrenjta. Shpenzojnë më tepër se turistët e tjerë të huaj dhe shumë më tepër se grekët – portretizon Fatosi me pak fjalë pushuesin shqiptar.

Është ndoshta kjo arsyeja që turistët nga Shqiperia gëzojnë një mikpritje të pazakontë në hotelet dhe viletat e zonës.

“Unë flas për Sivotan. Mendimi i përgjithshëm këtu është shumë pozitiv për shqiptarët. Ka ndryshuar mentaliteti thuajse 100 përqind, sidomos këto vitet e fundit – shton Fatosi.

Po emigrantët? Në të gjithë vijën bregdetare të zonës që përfshin Sivotan e pak më tej Pargën, Paksos, Antipaksos, etj thuajse në të gjithë lokalet gjen shqiptarë që shërbejnë.

“Unë nuk lëviz prej këtej – thotë Fatosi dhe na tregon një histori të shkurtër familjare: “Kam një xhaxha që e vlerësoj shumë. Para disa vitesh më kërkoi të vinte në Sivota. E mora dhe e solla. Kur më pa që po haja darkë bashkë me kolegë grekë dhe merrnim ushqim nga pjata e njëri tjetrit, më tha: Mos ik prej këtu”.

Sivota ka jo më shumë se 800 banorë sipas censusit grek të 2011-s. Cdo verë mbërrijnë me mijëra.

Shumica e shtëpive të fshatit shtrihet në kodrat buzë detit. Nuk ka shtëpi tradicionale, shumica janë banesa të reja të investuara vitet e fundit me rritjen e turizmit.

Shqiptarët të cilët gjatë verës punojnë në baret dhe restorante, gjatë dimrit merren me catitë e shtëpive të reja – tregon Fatosi.

Ndryshe nga bregu shqiptar që njeh vetëm korrikun dhe gushtin, sezoni turistik në Sivota dhe jo vetëm aty fillon në 1 prill dhe mbyllet në 31 tetor.

Fillimisht vijnë nordikët që në fillim të prillit – thotë Fatosi, pastaj me radhë të tjerët. Shqiptarët vijnë zakonisht në gusht.

Të shohësh Sivotan kaq afër Sarandës dhe jugut shqiptar por kaq ndryshe, të bën të mendosh. Dhe të pyesësh: Pse?

Secili nga pushuesit e shumtë shqiptarë që mbushin këto ditë plazhet e bukura dhe të qeta të Sivotas, me siguri e kanë një përgjigjje./dita/