Published On: Sun, Aug 27th, 2017

Përbërja e qeverisë së re, ja reagimet e para të Ditmir Bushatit e Pandeli Majkos

Kryeministri Edi Rama në fund të fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të PS-së paraqiti edhe emrat e ministrave të qeverisë së re, e cila ka më pak poste qeveritare dhe një strukturë pothuajse krejt tjetër nga ajo e deritanishme.

Një nga pozicionet që shtohet është ministri i Shtetit për Diasporën, i cili do të mbahet nga Pandeli Majko që rikthehet në ekzekutivin shqiptar pas më shumë se 13 vitesh. Posti i fundit që Majko ka mbajtur në qeverinë Nano ka qenë ai i ministrit të Mbrojtjes.

Por cilat janë reagimet e para nga anëtarët e Asamblesë në lidhje me përbërjen e qeverisë? Deputeti Spartak Braho u përgjigj se “ashtu siç tha edhe kryeministri, do t´i shikojmë se si do të punojnë ministrat në postet e tyre, por normale më duket”.

Pandeli Majko, nuk ka pranuar të bëjë komente, por nuk ka fshehur lumturinë për rikthimin në ekzekutiv, pavarësisht se ministria që do të drejtojë nuk ka një staf, sikundër të tjerat.

Ditmir Bushati është rikonfirmuar në postin e ministrit të Jashtëm, pavarësisht se pas kritikave të ashpra të Edi Ramës në drejtim të ambasadorëve shqiptarë, u interpretua se ai nuk do të mbante më postin e kryediplomatit. “Vlerësim dhe besoj një thirrje për përgjegjshmëri më të madhe në ushtrimin e detyrës”, tha Bushati.

Ndërkohë, Taulant Balla dhe Gramoz Ruçi që u propozuan më herët për postet e kreut të grupit të PS dhe kryeparlamentar, kanë shmangur komentet për mediat në lidhje me përbërjen e qeverisë së re.