Published On: Sun, Aug 27th, 2017

Rama shpall sot qeverinë e re, ja ç´pritet të ndodhë në Asamblenë e PS

Kryeministri Edi Rama do të shpallë emrat e kabinetit të ri qeveritar, i cili pas më shumë se 12 vitesh do të ketë përbërjen e vetëm një partie, asaj socialiste. Rezultati i 25 qershorit, i dha mundësinë Ramës për të formësuar i vetëm qeverinë, pa pasur nevojën e koalicioneve sikundër ka ndodhur nga 2005 deri më sot.

Gjatë ditëve të fundit kanë qarkulluar disa emra në postet qeveritare, por vetëm sot do të mësohet nëse kandidaturat e publikuara nga mediat do të jenë ose jo pjesë e kabinetit Rama2.

Gramoz Ruçi, kreu i Grupit Parlamentar socialist, pritet të zyrtarizohet në pozicionin e kryetarit të Kuvendit, ndërsa Fatmir Xhafaj, referuar deklaratave të mëparshme të Ramës, do të rikthehet në krye të Ministrisë së Brendshme, dikaster që e drejtoi për pak muaj dhe u largua me arritjen e marrëveshjes mes kryeministrit dhe kreut të PD-së.

Emrat e ministrave pritet që formalisht të marrin bekimin e Asamblesë Kombëtare të PS-së, e cila do të mblidhet në orën 10:00,  fillimisht për të diskutuar përfundimet e punës që Rama u ka ngarkuar disa deputetëve e ish ministrave të tij.

Axhenda e asamblesë:

Çelja e punimeve do të bëhet nga Sekretari i Përgjithshëm dhe Kryetari i Asamblesë, Gramoz Ruçi

Taulant Balla do të bëjë një raportim nga grupi i punës për veprimtarinë parlamentare

Milva Ekonomi do të paraqesë një raport për dëgjesat publike

Niko Peleshi do paraqesë një raport për ristrukturimin e institucioneve

Arben Ahmetaj do të paraqesë një raport për lehtësimin e procedurës burokratike

Blerina Gjylameti do të bëjë publike bilancin e zgjedhjeve dhe raportin për organizimin elektoral të PS

Kryeministri Edi Rama do të mbajë fjalën përmbyllëse ku do të bëjë dhe një bilanc të zgjedhjeve të qershorit dhe sfidat e 4 vjeçarit.