Published On: Fri, Aug 25th, 2017

Pas akuzave të Ramës ndaj ambasadorëve, Edi Paloka: kush tha që fajin e ka krimi dhe korrupsioni për mungesën e investimeve…

Një ditë pasi kryeministri Edi Rama akuzoi dhe kritikoi ashpër ambasadorët e Shqipërisë për paaftësi, duke i quajtur edhe delinxhinj disa prej tyre, ka reaguar nënkryetari i PD-së, Edi Paloka.

Sipas tij, lideri suprem foli dhe ua përplasi në fytyrë të gjithëve për mungesën e investimeve të huaja.

“Kush ishin ata të pafytyrë që mendonin se fajin për mungesën e investimeve të huaja në Shqipëri e kishin krimi e korrupsioni?!

Kush ishin ata të pashkolluar që thonin se kanabisi përveç të tjerave, do shkatërronte dhe ekonominë ? Kush injorant fajsonte taksat e larta ? E mbi gjithshka, kush ishin ata që guxonin të bënin fajtor liderin suprem ?!!!

Lideri vetë ua  përplasi në fytyrë të gjithëve; faji është i ambasadorëve…

Këta të paafte (që nuk dihet cili armik ia ofroi Ramës që ti emëronte ambasadorë) nuk arritën të shfrytëzonin as lëvizjet brilante diplomatike të liderit suprem, i cili arriti të krijojë trekëndëshin e fuqishëm Shqipëri-Francë-Gjermani nëpërmjet atleteve adidas që i dhuroi kryeministrit francez.

Tani të gjithë ju të tjerët duhet të heshtni, të mbyllni gojën. Lideri botëror foli vetë”, shkruan Paloka në rrjetet sociale.