Published On: Thu, Aug 24th, 2017

Kombëtarja e Panuçit “fiton” një mbrojtës krahu…Ivan Balliu merr nënshtetësinë shqiptare

Mbrojtësi Ivan Balliu nga dita e djeshme ka të hapur çdo rrugë që të luajë me Kombëtaren shqiptare. Mbrojtësi i lindur në Katalonjë të Spanjës, sapo ka marrë nënshtetësinë shqiptare, e cila i është dekretuar nga presidenti Ilir Meta.

25-vjeçari që aktualisht luan për Metz në Francë, kishte marrë një thirrje për t´u grumbulluar me përfaqësuesen Kuq e Zi nga trajneri Panuçi, por e kishte të pamundur të vinte në jetë ëndrën e tij të fëmijërisë, për shkak se kishte nënshtetësi spanjolle.

Tashmë gjithçka duket e tejkaluar dhe Balliu mund të jetë përforcim për mbrojtjen shqiptare, që në dy ndeshjet e rradhës, kundër Lihtenshtejnit dhe kundër Maqedonisë.

Ivan Balliu është rritur si futbollist në Spanjë dhe prej pak kohësh është transferuar tek Metz. Ai aktivizohet si mbrojtës krahu dhe trajneri Panuçi “ka luksin” ta aktivizojë si në të majtë ashtu edhe në të djathtë të mbrojtjes, pasi 25-vjecari i ka mbuluar të dy rolet. Balliu ka lindur në Spanjë në vitin 1992, me baba shqiptar dhe nënë spanjolle.