Published On: Thu, Aug 24th, 2017

Ish-kryeinfermierja e onkologjikut i shkruan Edi Ramës: ja si u ble vendi im i punës…

Blerina Cenameri, aktualisht është infermiere në spitalin onkologjik pranë QSUT-së. Përmes një letre drejtuar kryeministrit Edi Rama në rrjetin social, ajo ngre dyshimet se vendi i saj i punës, ku deri para disa javësh ishte kryeinferimiere në të njëjtin spital është blerë. Ajo rrëfen se është prej 12 vitesh pjesë e sistemit të bluzave të bardha, ndërsa shprehet se asnjëherë në karrierën e saj nuk ka marrë vërejtje në punë. Referuar letrës, infermierja tregon se fillimisht iu tha se vendi i saj i punës është suprimuar, por çuditërisht në korrik të 2017, në të njëjtin pozicion është emëruar një tjetër person. “Nëse do të besh shtet, eja nise nga vendi im i blerë i punës”, shkruan Cenamri në letrën drejtuar Edi Ramës.

Letra e ish-kryeinfermieres drejtuar kryeministrit

Përshëndetje zoti Kryeministër! Unë quhem Blerina Cenameri, kam 12 vjet që punoj në spitalin Onkologjik, kryeinfermiere. Kam mbaruar shkollën për infermieri në vitin 2002, dhe po këtë vit nisa punë. Si fillim nisa punë si infermiere në reanimacion neurokirurgji. Kjo detyrë m’u dha për shkak të mesatares së lartë që kisha në shkolle. Pas një konkurimi për infermieret u vendosa kryeinfermiere në kirurgjinë e përgjithshme. Pasi punova aty një vit, u bë një tjetër konkurim dhe u vendosa në spitalin onkologjik. Që atëherë kam punuar kryeinfermiere te Onkologjiku deri në dhjetor të 2016, kur çuditërisht suprimohet vendi im i punës dhe kaloj infermiere.

Kjo gjë ndodhi vetëm në shërbimin Onkologjik, në asnje vend tjetër në QDUT. Arsyeja që më dhanë nga drejtoria ishte suprimimi i vendit të punës. Për 12 vite kam punuar me përkushtim e ndërgjegje, pa asnjë verejtje, kontrollet nuk më kanë gjetur asnjëherë në gabim, por puna ime jepej si shembull.

Në 8 korrik 2017, në vendin që unë lashë, u emerua një kryeinfermiere tjetër. E shikoj një gjë të padrejtë, nuk e shoh aspak të arsyeshme që nje person i specializuar, me cv të pasur, të zëvendësohet me një shkak banal dhe gënjeshtra.

Gjatë kësaj periudhe kam bërë dhe kërkesë te Drejtoria e Burimeve Njerëzore nëse hapej ndonjë vend si kryeinfermiere në shërbimin onkologjik meqënese isha e specializar në këtë spital. Unë mendoj se nëse do ishte reforme, siç keni deklaruar ju se do të bëhet, do të ishte për të gjithë dhe jo për një individ. Kam kërkuar takime me drejtorin e QSUT-së, Enkeleid Joti, por as më ka pritur, as mesazh nuk më ka kthyer.

Jam e aftë të konkurroj përsëri me cv time dhe me përgatitjet e mia, por nuk kam më besim se fiton aftesia. Nëse do të kishte reformë për të gjithë, do e quaja diçka të drejte por kjo ndodhi vetem te unë.

E emëruara në vendin tim nuk ka eksperiencë në fushën e kirurgjisë. Kur unë ndërkohë kam shumë vite pune në kirurgji. Zoti kryeminister kërkoj drejtesi, puna e njerëzve të ndershëm dhe me eksperiencë nuk mund të hidhet poshtë me një reformë qe duket absurde, pasi shkaku që mua më kanë dhënë për të më ulur në detyre, eshte po ashtu absurd. Në vendin tim tani është një tjetër, por në nje post që thuhet se është suprimuar.. Nëse do të besh shtet, eja nise nga vendi im i blerë i punës.