Published On: Wed, Aug 23rd, 2017

Riatdhesohen 157 shqiptarë, kishin kërkuar azil në Gjermani e Francë

Gjatë 24 orëve të fundit janë riatdhesuar në Shqipëri 157 shtetas, që kishin kërkuar azil në Gjermani dhe Francë. Sikundër raportohet, 131 prej tyre janë kthyer nga Gjermania dhe 26 nga Franca.

Frontex në bashkëpunim me policinë ahqiptare, atë franceze dhe gjermane ka organizuar tre fluturime me charter për të riatdhesuar azilkërkuesit.

Policia e Shtetit sqaron se po bashkëpunon ngushtësisht me të gjitha policitë partnere për të riatdhesuar të gjithë ata shqiptarë që kërkojnë azil në vendet e BE-SË.

Masat shtesë të marra në fillim të muajit gusht kanë sjellë një rënie të fluksit të shqiptarëve që kërkojnë të shkojnë në vendet e BE-së me qëllim kërkimin e azilit.

Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjithë atyre që tentojnë apo përpiqen të gjejnë rrugë të ndryshme , të mos bien pre e mashtrimeve , të mos bëjnë shpenzime të kota, pasi shanset për azil në vendet e BE-së janë zero.
“Të gjithë ata shtetas që kërkojnë një shkollim më të mirë, që duan të gjejnë punë të ligjshme, kanë të gjitha mundësitë dhe rrugët ligjore për ti kërkuar në vendet e BE-së”, thuhet në njoftimin e policisë.