Published On: Wed, Aug 23rd, 2017

“Gallup”: Shqiptarët janë optimistë për rritjen ekonomike

39% e shqiptarëve mendojnë se 2017-a do të jetë një vit i prosperitetit ekonomik, sipas një publikimi të fundit të kompanisë së njohur të sondazheve Gallup International.
Ndërsa 29% e popullsisë janë pesimistë rreth perspektivës ekonomike të vitit, po sipas të njëjtit sondazh.

Treguesi neto i shpresës ekonomike është pozitiv me 10 pikë përqindje (diferenca mes optimistëve dhe pesimistëve)

I lartë është dhe numri i atyre që janë neutrale, pra që mendojnë se vendi nuk do të jetë as më mirë dhe as më keq, me 30%.

Shqipëria është pak më ulët se mesatarja globale, teksa 42% e popullsisë botërore mendon se perspektiva ekonomike e 2017-s do të jetë pozitive, por ka optimizmin më të lartë nga shtetet europiane që ndodhen në këtë renditje.

Në krahasim me rajonin, shqiptarët janë shumë më tepër optimistë lidhur me perspektivën ekonomike. Në Bosnjë Hercegovinë, pesha e optimistëve është vetëm 18%, ndërsa pesimizmi mbizotëron me 38%.

Në Bullgari, përqindja e atyre që mendojnë se perspektiva ekonomike e vendit për 2017-n do jetë pozitive është 12%,

E krahasueshme me Shqipërinë është vetëm Kosova, me 37%. Maqedonia e ka nivelin e optimizmit ekonomik në 33%, Serbia 23%.

Interesant është që vendet e zhvilluara të Europës Perëndimore, me një standard të lartë jetese dhe të ardhura shumë më të larta për frymë, duket se nuk kanë pritshmëri të larta. Ata nuk shprehen kaq optimistë sa rajoni lidhur me perspektivën e tyre ekonomike. Në Itali, ky tregues është 9%, përkundrejt 57% që janë pesimistë, në Gjermani 13%, në Greqi 6%, në Suedi 10%, në Mbretërinë e Bashkuar 15%.

Ironike është që vendet më optimiste në botë janë shtete relativisht të pazhvilluara, si Bangladeshi (81%), Gana (73%), India (69%), Nigeria (58%), Pakistani (56%)./Monitor