Published On: Tue, Aug 22nd, 2017

A është ky trajtimi që duhet të marrë një pacient në urgjencën e spitalit (video)

Një video e publlikuar në rrjet, me pamje të trishta, tregon gjendjen në të cilën ndodhet urgjenca në spitalin e Elbasanit, një nga qytetet më të mëdha në vend.
Ndoshta pamjet që ofron video, e publikuar nga JoQ, nuk janë skena të përditshme në këtë spital, por nëse gjykohet vetëm mbi to, atëherë reforma reale në sistemin shëndetësor publik duhet të nisë sa më parë.
Nga pamjet shihet qartë sesi një pacient, i vendosur në një barrelë, është lënë përtokë në korridorin e urgjencës, ndërsa pranë tij kalojnë qytetarë të ndryshëm. Nuk dihet nëse ky trajtim ka të bëjë me mungesën e shtretërve, apo thjesht ka qenë një proçedurë rutinë ku fillimisht pacienti pas transportit është lënë në korridor për t´u sistemuar më pas në ambiente të tjera.
Por cilado qoftë arsyeja, ky trajtim nuk ka lidhje fare me shërbimin që të paktën duhet të marrin qytetarët në urgjencë.