Published On: Sat, Aug 19th, 2017

Kërkesa e Hollandës për vendosjen e vizave, reagon Berisha: Shqipëria e Noriegës shkatërroi çdo arritje…

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me kërkesën e policisë dhe prokurorisë holandeze për rikthimin e regjimit të vizave për shqiptarët. Kërkesa në fjalë i është drejtuar qeverisë së Holandës për të marrë një vendim.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, Berisha thotë se fajin për këtë e ka kreu i qeverisë Edi Rama, që sipas tij ka lejuar drogën në Shqipëri.

Reagimi i Berishës:

Kthimi i vizave, dëshmi e degradimit të të gjitha standarteve të Shqipërisë nga Noriega!

Mediat njoftojne se një vend i BE, Hollanda, agjensitë e saj ligjzbatuese kërkojnë kthimin e vizave për shqiptarët, pra arritjen më të madhe të lirive të tyre. Dua të shtoj këtu se Hollanda ka qenë ndër vendet më të para që mbështeti heqjen e vizave për ne.

Kjo kërkesë nuk vjen e papritur por e paralajmëruar disa herë pasi Shqipëria e Noriegës ka shkatërruar çdo standart të arritur nga vendi 7 vitë më parë, për të cilat u hoqën vizat.

Kështu, ndër të tjera nga vetëm 430 shqiptarë që kërkuan azil politik në Gjermani në vitet 2011-2012 të marra së bashku, kjo shifër u rrit në mbi 80 mijë vetë në vitet 2015-2016. Kurse në mbarë BE kjo shifër arrin në mbi 100 mijë azilkërkues.

Shqiptarët në kërkesat për azil politik herë herë dolën të parët duke lënë mbrapa edhe sirianët. Dy muaj më parë u thirr në Paris, ministri i Jashtëm Bushati, por jo nga nga ministri i Jashtëm por nga ministri i Brendshëm.

Mediat gjerësisht thanë se kjo thirrje ishte një ultimatum për vizat dhe se policë francezë u vendosën në pikat kufitare të vendit për të kontrolluar fluksin e njerëzve që largohen nga Shqipëria.

Kështu që mund të thuhet me siguri se Edvin Kristaq Rama iu dha shqiptarëve drogën dhe po iu kthen vizat duke ndëshkuar kështu miliona shqiptarë!