Published On: Sat, Aug 19th, 2017

Holanda kërkon rikthimin e vizave për shqiptarët

Autoritetet holandeze kërkojnë rivendosjen e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë, duke kushtëzuar kështu lëvizjen e tyre në hapësirën Shengen.

Pas problematikave në rritje të kriminalitetit nga bandat shqiptare në Holandë, Policia Holandeze në bashkëpunim me Prokurorinë Holandeze kanë këshilluar qeverinë për të rikthyer vizat për të gjithë shtetasit shqiptarë në zonën Shengen.

Këtë e konfirmon një memo e brendshme që përshkruan raportin në fjalë, i cili është nisur për këshillim qeverisë, ku kërkohet pikërisht rivendosja e regjimit të vizave.

Një kërkesë e tillë është siguruar në mënyrë ekskluzive nga ABC News.

Kriminelët shqiptarë në Holandë janë fuqizuar së tepërmi vitet e fundit, pasi operojnë kryesisht në trafikun e drogës, pastrim parash dhe në trafikun e qenieve njerëzore.

Për Policinë dhe Prokurorinë Holandeze, mënyra më e mirë për të luftuar këtë fenomen është rikthimi i detyrimit për pajisjen me viza, në mënyrë që shtetasit shqiptarë të mos hyjnë më lirisht në zonën Shengen dhe në Holandë.

Policia e Amsterdamit ka konfirmuar për ABC News ekzistencën e këtij raporti dhe tha që policia ka parë një fuqizim të fortë të elementëve kriminalë në Holandë. Numri i të dyshuarve për vepra penale me kombësi shqiptarë përgjatë një viti është dyfishuar, duke shtyrë kështu kërkesën për masa më të ashpra.

Do të jetë qeveria në Holandë ajo që do të vendosë për një masë të tillë, e cila deri më tani po studion raportin. Zyra e Ministrit të Brendshëm preferon të reagojë pasi ministri të ketë marrë vendimin e tij. Të paktën disa parti politike janë shprehur në të kaluarën pro forcimit të masave shtrënguese për shqiptarët dhe kështu rikthimi i vizave mund të jetë një opsion real për Holandën./ABC News