Published On: Thu, Aug 17th, 2017

PD akuza qeverisë: po fle gjumë, janë mbytur 23 njerëz në det

Departamenti i Mjedisit, Pyjeve dhe Turizmit në PD reagoi pas rastit të fundit të mbytjes së fëmije 10 vjeç në Vlorë. Përmes një deklarate, partia më e madhe e opozitës akuzon qeverinë se po fle gjumë, ndërkohë që në Shqipëri po mbyten çdo ditë njerëz. Sipas PD-së, në këtë sezon kanë humbur jetën si pasojë e mbytjes në det, 23 persona.

“U mbyt personi i 23 dje në det dhe qeveria fle.

Përditë po mbyten njerëz, përditë dalin fekalet në det, përditë po ndoten plazhet nga nafta dhe ballasti dhe askush nuk mban përgjegjësi, askush nuk di të thotë ku po fle shteti.

U emërua (pa ligj) një Agjensi Kombëtare e Bregdetit, por askush nuk di çfarë bën dhe ku shkojnë milionat nga taksat tona.

Drejtori i saj merret me rrugën Egnatia në malet e Librazhdit, në vend që të merret me bregdetin dhe sigurinë në të.

Ka një Agjensi të Zonave të Mbrojtura, por a di njeri të thotë ku kanë vajtur thuajse 3 milionë euro?

Kemi Inspektoriat Mjedisi që në vend që të parandalojë dhe ndëshkojë për fekalet në det inspektorët e pashkolle të saj po zihen si qentë për të ndarë rryshfetet.

Pse paguhen dhjetëra institucione dhe miliona euro kur nuk bëjnë asgjë për të siguruar jetët e njerëzve, mjedisin dhe turizmin?

Këto vdekje, ndotje dhe mungesë e standarteve minimale nuk do të ishin të mundura pa Edvin Ramën dhe çetën e tij”, thuhet në deklaratën e PD.