Published On: Wed, Aug 16th, 2017

Do të vdesim nga “argëtimi”

Eshtë e pabesueshme se sa shpesh, kinofilët që e quajnë veten politikisht të ditur, lejojnë që parimet e tyre të goditen nga fyerje të kamufluara si “argëtim”, ka shkruajtur në revistën National Review, kritiku i njohur muzikor dhe kinematografik amerikan, Armond White. “Shembulli i kësaj jave është ‘Okja’, filmi i ri i Bong Joon-ho, regjisori korean i adhuruar nga fansat dhe hipster-at, për faktin që riciklon zhanre kinematografike. ‘Okja’ nis si një film fantazi dhe fantashkencë: një kompani globale ushqimesh stërvit një kafshë për të maksimizuar efikasitetin e konsumit, por ky gic indian – Okja – shndërrohet në kafshëzën mike të një vajze fshati koreane, Mija (Ahn Seohyun), e cila është e vendosur që të pengojë vrasjen e paravendosur.

Ndoshta të lindurit në vitet 200 nuk do të mbajnë mend Lassie apo Bambi, por kujtimi i atyre plot afeksion për peshkun Nemo, për shembull, i bën të prirur ndaj këtij provokimi sentimental që lidhet me një kafshë të pashpresë, e kërcënuar nga po ata kapitalistë që e kishin projektuar. (Fëmijët nuk e kuptojnë ironinë, por të rriturit fëmijërorë po).

Kështu, pas hyrjes së stërzgjatur ku Mija i jep të hajë kaki Okjas – që në thelb është një derr me trupin e një pakiderme dhe fytyrën e një Golden Retriever – filmi më tej vazhdon duke shpalosur një kritikë satirike të kapitalizmit. Drejtuesja e mprehtë e kompanisë, Lucy Mirando (Tilda Suinton) shpall ‘një garë të super derrit më të mirë’ për të publicizuar markën e saj të re ushqimore, për shtatë miliard konsumatorë. Atëherë, Mija detyrohet të kalojë në mbrojtje, por kauza e saj personale bojkotohet nga aktivistët politikë: Alf (Fronti për Çlirimin e Kafshëve).

Skenat më të mira të ‘Okjas’ janë ato të Suinton… Sulmi i Lucyt (personazhi i luajtur nga Suinton) kundër Nju Jork tajms dhe Slate tregon se si Bong dhe bashkautori Jon ronson perceptojnë lidhjen mes kompanive të mëdha dhe kotësisë së mediave. Ka edhe satirë të lehtë ndaj Alf, lideri i të cilës thotë: ‘Ne i shkaktojmë dëm ekonomik ndaj atyre që u bëjnë keq kafshëve. Ne nuk u bëjmë asnjëherë kafshëve, apo jo kafshëve, kjo është kredoja jonë’. E megjithatë, në linjë me stilin e vërtetë të të lindurve të këtij mijëvjeçari, nuk refuzon asnjëherë dhunën. Bong është në anën e vegjetarianëve moralistë anarkistë, por shfaq edhe ligësinë. Kjo ambivalencë irrituese nuk zgjat shumë. Përzierja e ndjenjave fëmijërore dhe dhunës prej filmi aksion, satirës për biznesin, etheve animaliste dhe sarkazmës progresiste në fund krijon një rreth të plotë. Bong dëshiron të na apasionojë me kauzën e një organizmi të modifikuar gjenetikisht, por tema e vetë Okjas modifikohet për njerëzit që nuk do të dijë për yjet, duke parë propagandë…”. / Bota.al