Published On: Wed, Aug 16th, 2017

“T’i tundim votat kundër Shqipërisë”, PDIU- Ramës: Hiqi shtetësinë shqiptare Vangjel Dules

“Mos të harrojmë që në kemi dy vota në BE dhe ato do ti tundim mirë kundër Shqipërisë”
Ka qenë ky njëri ndër mesazhet e thëna dje nga kreu i OMONIA-s në Himarë Fredi Beleri, drejtuar Greqisë e Qipros, që këto të fundit të bllokojnë integrimin e Shqipërisë në BE.

Në këtë protestë në Himarë, të pranishëm kanë qenë dhe ambasada greke si dhe kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, për të cilin këtë të mërkurë, PDIU kërkon nga qeveria, që atij t’i hiqet shtetësia shqiptare.

PDIU e Shpëtim Idrizit deklaron se protesta e djeshme e PBDNJ-së dhe OMONIA-s në Himarë ishte një shprehje e hapur kundër Shqipërisë dhe kësisoj shtetësia e Vangjel Dules, Fredi Belerit etj duhet të hiqet.

Deklarata e plotë e PDIU

Thirrjet e përfaqësuesve të PBDNJ dhe Omonias ndaj dy shteteve të huaja të bëra në Himarë për pengimin e procesit integrues së Shqipërisë janë vepër e dënueshme penale.

Prania e përfaqësuesve të ambasadës greke dhe të deputetit patericë që nuk mori asnjë votë as në Himarë e as në minoritet e bën edhe më të turpshëm këtë akt.

PDIU i bën thirrje Prokurorisë për këtë akt skandaloz që ndodh ditën me diell në zemër të Shipërisë.

Himara ia ka dhënë qartë përgjigjen grekomanëve gjatë gjithë historisë, sikurse edhe sot me votë, se është pjesë e pandashme e shqiptarisë.

Ka ardhur çasti, që qeveria shqiptare, të zbatojë reciprocitetin dhe të heqë shtetësinë shqiptare për çdo person me dyshtetësi që vepron kundër dobisë kombëtare shqiptare, siç Athina ka bërë këto kohë me shume patriotë shqiptarë!