Published On: Mon, Aug 14th, 2017

E kallëzuan penalisht 7 drejtorë, reagon Ministrja teknike e Arsimit

Këtë të hënë shtatë drejtorë të Ministrisë së Arsimit kanë dorëzuar në Prokurori një kallëzim penal për Ministren teknike të PD-së Mirela Karabina, të cilën e akuzojnë si përgjegjëse për ushtrimin e dhunës fizike ndaj punonjësve të MAS dhe shpërdorim detyre.

Por fill pas denoncimit, ka reaguar vetë Ministrja Karabina, e cila i ka quajtur pretendimet si qesharake. Sipas Karabinës janë veprime të tilla ato që dëshmojnë qartësisht nevojën e madhe që kka Ministria e Arsimit për t’u reformuar.

REAGIMI

Nisur nga prononcimi publik i ditës së sotme i disa punonjësve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS), sqarojmë se: Parregullsitë dhe situata antiligjore në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit të deklaruara nga Ministri Mirela Karabina, që në javën e dytë në drejtim të këtij institucioni, po vërtetohen nga akti i prononcimit publik, këtë herë edhe nga disa punonjës së institucionit të MAS.

Veprime të tilla dëshmojnë domosdoshmërinë urgjente të reformimit rrënjësor të administratës publike.

Ftojmë institucionin e Prokurorisë të hetojë me seriozitetin më të madh këtë situatë absurde të krijuar në MAS.