Published On: Sun, Aug 13th, 2017

Rinas, policia bën bilancin: 39 personave iu refuzua dalja nga Shqipëria, 5 të tjerë u arrestuan për fallsifikim…

Si rezultat i forcimit të masave në kontrollin e respektimit të rregullave për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen, policia kufitare në Rinas ka ndaluar 5 shtetas me dokumente të fallsifikuara dhe 39 të tjerëve i është refuzuar kalimi në destinacionin e planifikuar.
Të dhënat përfshihen në bilancin e bërë nga ky komisariat për muajin gusht, i cili ka edhe fluksin më të madh të lëvizjes së qytatarëve përmes kësaj pike të kalimit kufitar.
Gjatë muajit Gusht kanë kanë hyrë në Shqipëri 27.345 shtetas shqiptarë si edhe 35918 të huaj. Kanë dalë 20332 shtetas shqiptarë si dhe 26886 të huaj.
Gjatë dy ditëve të fundit ka një rritje të madh të fluksit të hyrjes për në vendin tonë, ku numri arrin deri në 13 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj.
Aktualisht në Rinas po punohet me 9 sportele në hyrje dhe 8 në dalje.
Gjatë këtyre ditëve nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, janë arrestuar 5 shtetas, si dhe janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 4 të tjerë, për veprën penale “Falsifikimi i pasaportave, letërnjoftimeve ose i vizave”.
Janë kapur 6 shtetas të shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale, për llogari të Drejtorive Vendore të Policisë në Qarqe.
Në drejtim të evidentimit dhe bllokimit të shtetasve që kanë për qëllim kalimin e kufirit për të kërkuar azil në një nga vendet e BE-së, gjatë kësaj periudhe u është refuzuar dalja nga Republika e Shqipërisë: 39 shtetasve të refuzuar, bazuar në masat shtesë të përcaktuara në urdhërin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Policia Kufitare e Rinasit është e angazhuar maksimalisht për t’u ofruar një shërbim sa më cilësor të gjithë shtetasve që hyjnë dhe dalin nëpërmjet aeroportit, si dhe e vendosur për të parandaluar, evidentuar dhe ndëshkuar paligjshmërinë.