Published On: Sun, Aug 13th, 2017

Aksidenti, familjarët e 53 vjeçarit: deputeti i morri jetën një njeriu, e pabesueshme që u lirua…

Familjarët e Sait Sorrës, 53-vjeçarit që u përplas për vdekje mëngjesin e së shtunës nga automjeti që drejtohej nga deputeti i PDIU-së, Aqif Rakipi, në aksin Vorë-Tiranë, e kanë marrë vesh lajmin nga mediat, ndërsa askush nuk i ka kontaktuar derinë tërheqjen e trupit nga morgue. Ky fakt mësohet nga i vëllai i viktimës, të cilit i duket e pabesueshme sesi mund të lihet i lirë një njeri që i morri jetën një tjetri.

“Po presim se çfarë do të vendosë Policia e Prokuroria, pastaj do të flasim. Por është pa logjikë që të lihet i lirë një njeri që i mori jetën një tjetri.

Ai vrau një njeri, vëllai im nuk ishte kafshë. Pse është deputet, dënimin duhet ta marrë si gjithë njerëzit e tjerë”, është shprehur vëllai i viktimës, raporton Panorama.

Ndërkohë që policia dhe prokuroria ka dhënë si version që fajin për aksidentin e rëndë e ka patur viktima, ndërsa deputeti do të hetohet në gjendje të lirë, familjarët e 53 vjeçarit shprehen se ende nuk e dinë si ka ndodhur ngjarja.

Nga raportimet mësohet se viktima ka qenë i shoqëruar nga dy të afërm të tjerë, ndërsa të tre kanë zbritur nga një furgon dhe kanë tentuar të kalojnë rrugën, duke mos përdorur mbikalimin.