Published On: Sat, Aug 12th, 2017

Zjarret bashkojnë dy Vangjelet: Rama përgjegjës, “pirromanët” të lidhur me PS

Situata e zjarreve në disa zona në jug të vendit duket se kanë bashkuar deputetët Vangjel Tavo (LSI) dhe Vangjel Dule (PBDNJ) në akuzat drejtuar kryeministrit Edi Rama.
Aleati i Lulzim Bashës, i cili renditej i 3-ti në listën e kandidatëve për deputet të PD-së në qarkun e Vlorës, akuzoi Ramën në lidhje me zjarret që kanë rënë në zonat e Finiqit dhe Dropullit.
Sipas Dules, qeveria ka bërë pak ose aspak për të shuajtur flakët, një politikë e mbrapshtë kjo sipas deputetit në kurriz të minoritetit grek që jeton atje.
Deputeti i Vlorës shprehet se bashkitë e Dropullit dhe Finiqit janë përballur me mungesën e energjisë elektrike dhe të ujit.
“Prej një jave Bashkitë Dropull dhe Finiq në meshirën e zjarreve. Ndërprerjet e energjisë elektrike shumëorëshe. Uji i pijshëm me pikatore. Thjesht pasojë e mungesës totale kapacitetesh, apo politika të mprapshta të mirëmenduara ndaj pjesëtarëve të minoritetit këto ditë festash?”- shprehet Dule.
Pas akuzave të Vangjel Dules, ka reaguar edhe deputeti i LSI-së në qarkun e Gjirokastrës, Vangjel Tavo, i cili pothuajse ka mbajtur të njëjtën gjatësi vale me kolegun e tij.
Tavo shprehet se zjarret në zonën e Dropullit kanë vënë në rrezik shumë banorë të zonës, por pavarësisht kësaj policia ka mundur të kapë zjarrvënësit. Sipas deputetit të LSI, problemi është se ata që kanë vënë zjarret janë liruar nga policia e shtetit pasi kanë lidhje me deputetët e maxhorancës, pra të socialistëve.
Vangjel Tavo shprehet gjithashtu se të luftosh me zjarret është heroike, por t’i ndezësh ato, ashtu siç po ndodh në Dropull, është një akt tradhëtie ndaj vendit.