Published On: Sat, Aug 12th, 2017

Skafi me 1.8 tone kanabis nga Shqipëria, italiani dëshmon para hetuesve grekë/50 mije euro vetem per transportin

Policia greke ka mundur të sigurojë dëshminë e shtetasit italian, të arrestuar dje në Greqi për trafikun e 1.8 tonëve kanabis me një skaf.
Referuar mediave greke, italiani ka sqaruar se mjetin lundrues e ka marrë me qira, por nuk ka paraqitur asnjë dokument për të vërtetuar këtë alibi.
Ai ka pranuar se kishte vetëm rol transportues dhe do të merrte 50 mijë Euro për të dërguar në destinacion sasinë prej 1.8 ton kanabis, ndërsa nuk dihet nëse ka treguar para policisë greke se do të shkarkohej lënda narkotike.
Italiani rezulton i dënuar në vendin e tij për grabitje me armë, megjithatë policia ende nuk ka bërë të njohur identitetin e tij dhe të bashkëpunëtorit, që është një shtetas shqiptar.
Autoritetet portuale greke bllokuan dje në orët e para të mëngjesit në ishullin Kythira një jaht të vogël me flamur italian në bordin e të cilit kishte 1.8 ton kanabis, raportoi tvklan.
Droga ishte e ndarë në 84 pako me hashash. Për këtë ngjarje u arrestua kapiteni italian i jahtit dhe një shtetas shqiptar, i cili u kap në ishullin Kythira dhe që dyshohet se ka lidhje me trafikun e drogës.
Sipas gazetës greke “Kathimerini”, jahti ishte nisur nga Italia, konkretisht nga Napoli me destinacion Shqipërinë. Nuk dihet se në cilën zonë të bregdetit shqiptar ndaloi jahti, por “Kathimerini” shkruan se u ngarkua me drogë në Shqipëri. Prej andej, u nis drejt Egjeut ku dhe më pas u kap nga autoritetet greke.
Ndërkohë, burime nga policia shqiptare thonë se aktualisht po shkëmbehet informacion trepalësh, mes Greqisë, Italisë e Shqipërisë. Të njëjtat burime sqarojnë se jahti me drogë po mbahej nën vëzhgim nga policitë e tre vendeve, pas informacioneve që kishin marrë në rrugë operative.
Hetuesit grekë nuk kanë dhënë detaje nëse ngarkesa me hashash do të shkarkohej në ndonjë ishull grek apo kishte destinacion bregdetin e Turqisë.