Published On: Tue, Aug 8th, 2017

Oferta e bollshme në euro/ Qeveria do të emetojë obligacionin 45 mln euro. Ja data

Ministria e Financave ka lajmëruar zhvillimin e një ankandi obligacionesh në euro me afat dyvjeçar. Shuma që do të emetohet do të jetë 45 milionë euro dhe ankandi do të zhvillohet më 17 gusht me kupon indikativ 0.70%.
Qeveria e zhvillon këtë ankand për të rifinancuar borxhin e brendshëm në euro që ka marrë vitet e kaluara.

Nisur nga likuiditeti i bollshëm në valutë, tani që edhe sezoni i turistik është në kulmin e tij, qeveria synon të grumbullojë likuiditet në euro me interes të favorshëm.

Burimet nga Ministria e Financave pohuan se kjo shumë do të shërbejë për financimin e deficitit të qeverisë dhe se ankandi bëhet në euro për të përfituar nga oferta më e lartë e operatorëve vendas në këtë valutë.

Ankandet në euro për financimin e borxhit të brendshëm janë bërë një praktikë e zakonshme vitet e fundit.

Në muajin nëntor të vitit 2016, qeveria emetoi një obligacion 2-vjeçar me vlerë 35 milionë euro, ndërsa në janar të 2017 u zhvillua një tjetër ankand me vlerë 50 milionë euro.

Të dy ankandet janë zhvilluar me sukses pasi bankat ofruan likuiditet në euro më shumë se sa kërkesa e qeverisë.

Qysh nga viti i kaluar, ekonomia e vendit ka pasur një mbifurnizim në valutë, siç është parë nga zhvillimet në kursin e këmbimit ku monedha e vendase është mbiçmuar me 6 lekë në këmbim me euron në harkun e një viti.

Ministria e Financave raportoi se borxhi publik në raport me PBB-searriti në 66.8% në fund të 6-mujorit 2017, por në fund të vitit, stoku i detyrimeve në raport me PBB rrezikon të jetë më i lartë pasi parashikimi me PBB do të mbetet i njëjtë teksa borxhi në vlera neto do të rritet.

Ndonëse në trajektore ulëse, borxhi publik i Shqipërisë renditet nga më të lartët edhe në vendet e BE-së. Sipas një tabele krahasuese që publikoi Eurostat në lidhje me treguesit e borxhit, 16 vende të BE-së renditen me borxh publik më të ulët se Shqipëria./Monitor/