Published On: Tue, Aug 8th, 2017

Ja tre afatet për të kompensuar pronarët

Agjencia e Trajtimit të Pronave do t’i japë përparësi kompensimit të pronarëve që kërkojnë pagesë të përshpejtuar.

Të gjithë ish-pronarët që kanë një vendim për njohjen e pronës nga ATP, për të përfituar kthimin ose kompensimin duhet të paraqiten pranë Agjencisë për të plotësuar formularët për pagesa të përshpejtuara. Për të përfituar pagesën e përshpejtuar mund të aplikojnë pronarët që kanë aplikuar në vitet 1993, 1994 dhe 1995, që janë afro 11 000 të tillë, pasi për ta ka përfunduar vlerësimi financiar. Pronarët duhet të paraqiten në Agjenci, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, pranë fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit të plotësojnë formularin tip dhe të zgjedhin një nga tre afatet që parashikon ligji, pagesë brenda vitit, brenda 3 vjetëve ose brenda 5 vjetëve. Burime zyrtare nga ATP bëjnë të ditur deri tani janë paguar një numër i konsiderueshëm pronarësh që kanë zgjedhur pagesën e përshpejtuar duke hequr dorë nga një pjesë e vlerës së përgjithshme të kompensimit dhe të radhës do të jenë 8 pronarë, emrat e të cilëve janë miratuar për javën e kaluar.

 

Tri afatet

Për kompensimin e shpejtë, janë vendosur tri afate pagesash. Pagesë brenda një viti, brenda tre vjetësh dhe brenda pesë vjetësh. Për secilin variant në një VKM të posaçëm është përcaktuar edhe përqindja e pagesës. Për pagesën brenda një viti pronari merr 20% të vlerës së faturës, për pagesën brenda tri viteve merr 30% dhe brenda pesë viteve merr 40% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere. Të gjitha subjektet që kanë një vendim përfundimtar kompensimi, pavarësisht rendit kronologjik të tij dhe llojit të zërit kadastral të pronës së vlerësuar, kanë të drejtë të aplikojnë pranë ATP-së me kërkesë të veçantë, ku shprehin vullnetin për t’u kompensuar financiarisht. Kërkesat e veçanta për kompensim financiar do të trajtohen sipas kësaj procedure: nga çdo fond vjetor buxhetor i kompensimit financiar, jo më shumë se 1/3 e tij mund të përdoret për kërkesat e veçanta të kompensimit financiar, të gjitha subjektet kërkuese që shprehin vullnetin për t’u kompensuar financiarisht me kërkesë të veçantë duhet të aplikojnë pranë ATP-së brenda vitit të çeljes së fondit vjetor buxhetor të kompensimit financiar. Pas aplikimit për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, ATP-ja përgatit vlerësimin financiar të pronës, pavarësisht rendit kronologjik të vendimit dhe në rastin e disa aplikimeve për kompensim me kërkesë të veçantë do të zbatohet rendi kronologjik i datës së vendimeve për këto aplikime.

 

Dokumentet

Dokumentacioni shoqërues që vërteton pronësinë e subjektit të shpronësuar, përbëhet nga: a) dokumentacioni ligjor; b) dokumentacioni hartografik; c) vërtetime për përfitim nga dispozitat ligjore për ndarjen e tokës bujqësore. Sipas legjislacionit në fuqi, dokumentacioni ligjor përbëhet sipas rastit nga: a) dokumentacion hipotekor, kadastral, arkivor, vendimet e mëparshme të ishKomisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Komisionit/Komitetit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ish-ZRKKP-së, AKKP-së. Duhet të dorë- zohet dokumenti që vërteton heqjen ose marrjen e së drejtës së pronësisë nga shteti subjektit të shpronësuar, sipas akteve ligjore e nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose në çdo mënyrë tjetër të padrejtë që nga data 29.11.1944. Ndërsa kur një nga dokumentacionet e sipërpërmendura ligjore paraqet mangësi lidhur me sipërfaqen dhe kufijtë e pronës së pretenduar, subjekti depoziton vendimin gjyqësor të formës së prerë së bashku me planvendosjen e pronës, objekt gjykimi, të vulosura nga gjykata, si dhe aktekspertimin, në rast se gjatë gjykimit të çështjes në gjykatë është kryer një i tillë.

 

Pagesat e Përshpejtuara

Në tabelën më poshtë janë përcaktuar afatet, shuma që përfiton pronari dhe shuma nga e cila duhet të heqë dorë.

1-Kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 1 viti, atëherë ai përfiton 20% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere.

2- Kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 3 vjetësh, atëherë ai përfiton 30% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere.

3- Kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 5 vjetësh, atëherë ai përfiton 40% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere.

Prona e njohur

Në rast se ATP-ja merr vendim për njohje dhe kompensim fizik në pronën e subjektit, prona vlerësohet, si më poshtë vijon:

  1. a) Prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit.
  2. b) Prona e kthyer vlerësohet sipas zërit kadastral aktual të saj dhe sipas zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit, duke llogaritur diferencën e vlerës që do të rezultojë nga ndryshimi i zërit kadastral.
  3. c) Kur nga ky vlerësim rezulton se subjekti përfiton një pronë që ka vlerë më të lartë sesa prona që ka pasur në momentin e shpronësimit, atëherë subjektit i kompensohet fizikisht sipërfaqja që i korrespondon vlerësimit dhe pjesa tjetër e pronës kalon në fondin e tokës me vendim të ATP-së. 11 000 dosje për të cilat është marrë vendimi përfundimtar deri tani, kanë të drejtë të kërkojnë kompensimin e shpejtë. /shekulli/