Published On: Mon, Aug 7th, 2017

Qindra qytetarë kërkojnë ndihmë në urgjencë, mjeku: ja arsyet dhe çfarë duhet të shmangni

Temperaturat e larta, por jo vetëm, kanë rritur numrin e personave me infeksione gastro-intestinale në urgjencën e Shërbimit Infektiv.

Çdo ditë, 100 deri në 120 vetë i drejtohen kësaj urgjence me probleme të ndryshme të aparatit tretës.

“Vijnë me shqetësime si diare, të vjella e temperaturë. Është një numër i shtuar që mbingarkon personelin e urgjencës, pasi janë mbi 100 raste që paraqiten çdo ditë”, deklaron profesor doktor Arjan Harxhi, raporton TCH.

Mjekët thonë se shkak kryesor është uji i pijshëm dhe konsumimi i ushqimeve, të cilat nuk ruhen mirë higjenikisht.

“Bëhet fjalë për nivel të ulët të higjenës dhe të përpunimit e ruajtjes së ushqimeve. Pra, rrugët janë qoftë përmes ujit kur është i kontaminuar, qoftë përmes ushqimeve që janë paraprakisht të kontaminuara”, thotë Harxhi.

Mjeku u bën apel qytetarëve të bëjnë kudjes me ushqimet e përpunuara, apo ruajtjen e higjenes në ambjentet familjare ku i gatuajnë ato, apo në përzgjedhjen e ambienteve kur konsumojnë ushqim jashtë shtëpisë. Por ai ka dhe një mesazh për autoritetet shëndetësore.

“Kur nuk jemi të sigurtë se uji që pijmë nga rubineti është i pastër, ai duhet të zjehet ose të konsumohet ujë i ambalazhuar. Vëmendje duhet edhe sa i takon cilësisë së ushqimit, si përpunohet, si ruhet, apo si gatuhet. Inspektoriatet e ndryshme, apo politikbërësit duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje kësaj situate, sidomos në kohë sezonesh”, shton Harxhi.