Published On: Wed, Aug 2nd, 2017

Rama zbardh takimin me zv.Presidentin e SHBA/Ja cfare i thashe homologut kroat per Ballist Morinen…

Kryeministri Edi Rama, i cili ka qenë sot në Mal të Zi ku ka marrë pjesë në samitin e Kartës së Adriatikut është takuar edhe një prej zyrtarëve më të lartë të SHBA-ve.
Ai është takuar pikërisht me zv.Presidentin e SHBA, Mike Pence. Vetë Rama ka postuar në profilin e tij në Facebook videon ku të dy kanë shtrënguar duart, ndërsa ka bërë edhe një status të gjatë rreth asaj që zyrtari i lartë i administratës ‘Trump’ vuri theksin më shumë për vendet e rajonit.

“Zv.shefi i Shtëpisë së Bardhë nënvizoi fort, interesin e Shteteve të Bashkuara për të forcuar bashkëpunimin me vendet e rajonit, si edhe domosdoshmërinë për të rritur ndërveprimin mes SHBA e vendeve të rajonit e po ashtu mes vetë vendeve të rajonit, në funksion të përballimit me sukses të sfidave të sigurisë, paqes e prosperitetit, në rajon e në Europë.

Takimet bilaterale me zv.Presidentin Pence, si edhe me liderët e tjerë të rajonit, patën rëndësinë e tyre të posaçme për rikonfirmimin e vullnetit për të ecur më tej përpara, të gjithë së bashku, në mbrojtje të interesave strategjike të popujve tanë. Në takimin me Kryeministrin kroat, Plenkovic, u përcoll edhe ndjeshmëria e lartë e opinionit publik mbarëshqiptar për rastin e Ballist Morinës dhe u theksua nevoja për zgjidhjen më të arsyeshme të tij.”, shkruan Rama.