Published On: Tue, Aug 1st, 2017

Lista me 124 emrat e trafikanteve/Luan Rama ka nje mesazh per Demirajn e Edi Ramen

Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama kërkon që kryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme Dritan Demiraj, të ndjekin të gjithë hapat ligjorë, për 124 emrat e të përfshirëve në veprimtari kriminale të kultivimit të drogës, që thanë se disponojnë.
“Kryeministri e më pas edhe Ministri i Brendshëm, deklaruan se disponojnë një listë me 124 emra të implikuarish në veprimtarinë kriminale të kultivimit e trafikimit të drogës në Shqipëri!

Kaq nuk mjafton!

Si funksionarë të lartë të shtetit ata duhet ta dinë se e kanë për detyrë të veprojnë në zbatim të ligjit duke kryer si hap të parë dërgimin e listës së emrave dhe të të gjithë të dhënave që kanë në Prokurori!

Ndërkaq, Prokuroria, nëse nuk e ka bërë, duhet të nisë menjëherë procedurat që ligji e detyron, për hetimin dhe fillimin e çeshtjes penale për emrat e listës që disponon Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm!

Shteti ka ligje dhe funksionon përmes zbatimit të ligjit!”, shkruan në rrjetin social Facebook numri dy i LSI-së.