Published On: Mon, Jul 31st, 2017

Pas humbjes se “tepsise”, LSI i iken edhe nje tjeter zyrtar/Kthehet ne rradhet e PS…

Mesa duket jo të gjithë në LSI mendojnë njësoj. Administratori i Zall Herrit ka lënë sot LSI për t’u rikthyer në PS.

Në një deklaratë të postuar në Facebook, Arben Maloku shkruan se kryetari i Bashkisë Veliaj duhej mbështetur kur punon, ashtu siç edhe Ilir Meta kishte porositur këshilltarët e LSI, e jo ta tradhëtojnë në rastin më të parë pas ikjes së Metës.

Gjithashtu, ai duket i habitur për largimin më urdhër të partisë të nënkryetares së Bashkisë, Brunilda Paskali, e propozuar nga LSI, kur në fakt ajo ishte një nga bashkëpunëtoret e ngushta të Veliajt, apo edhe nga thirrja për dalje në opozitë, kur të gjithë drejtorët e LSI vazhdojnë punë në Bashki.

Administratori i Zall Herrit, Arben Maloku është largimi i tretë i rëndësishëm nga LSI-ja, pas dy këshilltarëve të LSI të cilët iu bashkuan grupit të këshilltarëve të PS.

Me poshtë deklarata e plotë:

Rikthim te familja ime në PS!

Prej dy vitesh kam shërbyer si Administrator i Zall-Herrit, fryt i bashkëpunimit PS-LSI. Jam munduar çdo ditë t’i qëndroj pranë njerëzve dhe të mbaj ritmin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë!

Zall-Herri ka ndryshuar komplet këto dy vite. Dy rrugët e Kasallës dhe të Cekrezës kanë transformuar totalisht zonën e kanë rikthyer shpresën tek ata banorë të vuajur aty! Pa Bashkinë e Tiranës, këto investime do ishin komplet të pamundura. Njerëzve po u legalizohen shtëpitë dhe tani po urbanizohen me rrugë, kanale e ndriçim.

Herën e fundit Erion Veliaj dhe Ilir Meta shtrënguan duart me inaugurimet e reja duke bërë thirrje për më shumë bashkëpunim në interes të komunitetit. Ishte marrëdhënie e vërtetë! Asnjë s’kandidonte në zgjedhjet parlamentare, dhe prapë se prapë i qëndruan fjalës që i dhanë banorëve për mbarimin e rrugëve brenda gjysmës së mandatit të Veliajt.

Fatkeqësisht, pas ikjes së Ilir Metës nga LSI gjërat nuk janë si më parë! Kryetarit të Bashkise nuk iu dhanë votat për shkollat e reja dhe për ujin 24 orë nga LSI, siç kishim rënë dakord. Një ditë pas betimit të Presidentit ku Veliaj ishte nga të paktët socialistë, ai u braktis nga LSI për gjëra që kish bashkëpunim prej vitesh. Pa shkolla e pa ujë, nuk ka të ardhme Tirana. Sot po bëhet thirrje për opozitë kur ne jemi të gjithë ende në Bashki. Largohet nënkryetarja e LSI, por rrinë drejtorët! Si mund të jemi dhe brenda dhe jashtë, dhe bashkë dhe kundra, dhe në pushtet dhe në opozitë?

Ndaj kam vendosur që sot t’i kthehem familjes time Partisë Socialiste sepse dua që puna në Tiranë të vazhdoje, që shkollat të bëhen e Zall Herri e gjithë bashkia të kenë ujë 24 orë. Vetëm kështu e mbaj porosinë që Ilir Meta në 14 Prill tha “ta mbështesim lali Erin për sa kohë që po punon për Tiranën.” Kryetarin e Bashkisë duhet ta ndihmojmë, jo ta sabotojmë! Nga sot jam me Erionin dhe Partinë Socialiste për më shumë punë të palodhur për qytetin tonë!

Juaji gjithmonë, Arben Maloku, administrator Zall Herr!