Published On: Mon, Jun 19th, 2017

Rama: Luli duket si llogaritar kooperative. E ka programin si Sudja…

Kryeministri Edi Rama ka vijuar takimet elektorale në Kashar, ndërsa ka ironizuar kreun e PD-së, Lulzim Basha, në lidhje me programin e tij ekonomik. Kreu i PS-së e krahasoi Bashën me një llogaritar kooperative, por shtoi se nuk është çun i keq. “Nuk je çun i keq, por je si shalqiri me provë, dhe Tirana e pa punën tënde. Mund të jesh me PD sa të duash, mund të jesh i djathtë, por kë të zgjedhësh Lulin që ti japim një punë që s’di ta bëjë. Lali Eri thotë se do të ndërtojë 17 shkolla, por po fitoi Luli harrojini 17 shkollat dhe Lali Erin do e keni për qoka, për ditëlindje”, tha Kryeministri.

Sipas tij, demokratët le ta marrin foton e Lulit ta venë tek dhoma e gjumit të kalamajve se i ve shpejt në gjumë dhe foton e Saliut varen tek shpia, se s’ka vampir që i ofrohet shtëpisë.

Rama tha se Luli del dhe flet për ulje taksash dhe thotë që ne rritëm taksat.

“Cilat taksa kemi rritur ne dhe cilat do ulë Luli? Po pse një furrë buke në Kashar duhet të paguajë njëlloj me një biznes të tillë në Tiranë? Ne nuk do të rrisim asnjë taksë, por ajo që ju garantoj do të jetë rritja e të ardhurave për qytetarët. Vijnë këtu dhe thonë ju nuk do të paguani asgjë, jam unë ai që paguaj për Ju dhe thotë këto më kanë ardhur nga Gjermania e SHBA. Kjo më duket mua si Sudja, se Sudja e bënte kështu. Po çfarë shteti është ky që do të bëjë Luli që asnjë mos paguajë? Vetëm rrumpallë mund të quhet sepse vetëm në një shtet të tillë lulëzojnë të tilla lule”, tha Rama.

Rama i ka kërkuar qytetarëve të votojnë Partinë Socialiste për të shpëtuar nga partitë e tepsisë së pushtetit.

“Tepsia përfiton nga përcarrja e shqiptarëve. Çpo i them unë që sëkëlldisen disa? Po iu them që tepsinë e pushtetit ta marrim dhe ta flakim, sepse zyrat e shtetit s’mund ti bëjmë zyra partie, sikundër janë bërë Hipotekat”, tha Rama. Sipas tij, në 27 vjet administrata shtetërore nuk u bë dot, dhe po qe se më 25 Qershor ju nuk votoni PS-në që të qeverisë e vetme, sërisht administratën e tepsisë do të keni në shërbimin tuaj. “Pushtetin ata e duan për tepsinë, jo për Shqipërinë. Ata janë parti që nuk prodhojnë salcë, por prodhojnë vota, dhe pastaj ripërpunojnë tepsinë dhe pastaj kthehen tek votat. Mua nuk më intereson timoni, s’kam pasur kurrë pasion për makinat, këto rrinë merrem me timonin, me makinën, me motorrin”, tha Rama. Në vijim ai shtoi se më 25 Qershor duhet t’I japim fund tezave që para se të bëjmë koalicionin duhet të ulemi për të ndarë tepsinë, pasatj kalojmë tek byreku, keku e kështu me rradhë. “Ça bëjnë këto partitë, venë një drejtor p.sh tek burgu dhe i thonë na duhen kaq vota. Dhe del drejtori i burgut me mbledh votat për partinë. Dhe çfarë bëhet me shtetin”, tha Rama.

Përpara takimit në Kashar, Rama u ndal në Vorë, ku sërisht nuk ndali akuzat.

“Tepsia është administrata e shtetit. Nëse ne do kishim fuqi nga njerëzit nuk do ishin sot këtu në Vorë 3 mijë familje që kanë marrë lejen dhe s’marrin dot hipotekat. Hipotekat janë të bllokuara nga tepsia”, tha ai.

Duke iu dhënë në mesazh tjetër aleatëve, Rama tha se nuk i ka mohuar reformat e arritura bashkë me ta, por tani ka ardhur koha të bëhet shtet. Ai shtoi se nuk e kuptonte aspak se pse çirreshin e bërtisnin.

“Unë nuk kam dalë në këtë fushatë për luftë, kam dalë për garë po jo garë me të tjerët. Unë nuk e di çfarë kanë, janë çmendur, bërtasin, çirren, as po ju thotë njeri gjysëm llafi. Pse i shqetëson kaq shumë vetëm një gjë, duam të bëjmë shtet, duam të bëjmë administratë. Pastaj vijnë në Tiranë thonë ku është tepsia. Ore jemi këtu për njerëzit, duhet të regjistrojmë tokat, ata na kanë votuar për këtë punë. Jo, unë dua hipotekën, patentat, midhjet, oktapodin, burgun, vjen tjetri thotë dua pastruesen. Ai ka pastrueset e veta. Si mund të bëhet shtet kështu, dhe kjo s’është personale. Unë nuk them që e ka fajin ajo parti apo kjo parti. Dhe ne me koalicionin kemi bërë punë shumë të mira. Unë nuk po i hedh poshtë reformat që kemi bërë me aleatin. Pavarësisht se punët i kemi bërë vetëm ne, ata na kanë dhënë votën me mendjen tek tepsia. Por të dalin të krenohen me punët që kemi bërë”, u shpreh Rama ndër të tjera.