Published On: Mon, Jun 19th, 2017

Ministri i Brendshëm takim urgjent me kreun e SHISH/Për çfarë është diskutuar…

Ministri i Brendshëm Dritan Demiraj mësohet se ka zhvilluar një takim urgjent me kreun e SHISH-it, Visho Ajazi Lika. Mësohet se në qendër të takimit ishin incidentet gjatë fushatës zgjedhore, fenomeni i shit-blerjes së votës, reagimi i strukturave ligjzbatuese ndaj rasteve të denoncuara, por edhe bashkëpunimi mes institucioneve të sigurisë dhe rendit në ditën e zgjedhjeve.

Sipas burimeve jo zyrtare, gjatë takimit është diskutuar për mbledhjen e informacioneve nga agjensitë ligjzbatuese përsa i takon çdo elementi që mund të cënojë proçesin e zgjedhjeve më 25 Qershor, apo parandalimin e rasteve të shit-blerjes së votës, presioneve dhe kërcënimeve ndaj votuesve.

Mësohet se në takim është diskutuar mbi masat që duhen marrë nga strukturat ligjzbatuese përsa i takon atyre që cilësohen si zona të nxehta elektorale, kjo referuar edhe situatave të krijuara deri më tani, ku në jo pak raste përfaqësues të subjekteve zgjedhore janë dhunuar, kërcënuar apo kanosur për shkak të angazhimit apo bindjeve të tyre politike.