Published On: Fri, May 19th, 2017

Agron Duka: Partitë e vogla duhet të bëjë mirë llogaritë në zgjedhje

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, u shpreh pas takimit të partive aleate me kreun demokrat Lulzim Basha, se marrëveshja e arritur dëmton partitë e vogla. “Mu bë qujfi që marrëveshja u arrit, pasi u shmang një situatë e tensionuar, por secila parti e vogël duhet të masë mirë forcat para se të hyjë e vetme në zgjedhje”, tha kreu i PAA-së.

Ai ka konfirmuar diskutimin që kryetarë të partive aleate të hyjnë si kandidatë në listat e PD-së, duke shtuar se Kodi Zgjedhor nuk favorizon aspak konkurencën e shumë partive të vogla, pasi kjo çon në fragmentarizimin e votës.

“Ne duhet ta masim mirë veten nëse mund të nxjerrim deputetë në disa zona apo jo, kur ngrihet pragu elektoral, kur nuk kemi numërues. Kjo mbetet për t’u parë. Unë mendoj se si Kryetar i PAA mund ta marr një mandate deputeti në Durrës, por gjithçka mbetet në diskutim”, tha Duka.