Published On: Wed, May 17th, 2017

Çmimet më të larta në tregun ndërkombëtar rrisin të ardhurat nga eksportet me 16.4% në janar-prill

Rritja e eksporteve vijoi me ritme dyshifrore në katërmujorin e parë të vitit duke shënuar një zgjerim me 16.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar edhe pse ritmet e rritjes ishin disi më të ulëta në muajin prill me rreth 13.5%. Koniunktura e përmirësuar e eksporteve i dedikohet rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare, duke sjellë kështu të ardhura më të larta për produktet e naftës dhe mineraleve.

Sipas të dhënave të INSTAT, ritmet më të larta të rritjes u shënuan në grupin e “minerale e lëndë djegëse” dhe materialeve të ndërtimit përkatësisht me rritje 37 dhe 38% në janar-prill. Arsyeja kryesore e rënies së tyre vitin e kaluar, tashmë është bërë faktori kryesor që po çon në lulëzimin e eksporteve.

Megjithatë, pas rritjes së fortë të dy muajve të parë, grupi “minerale, lëndë djegëse dhe energji” është ngadalësuar. Për tremujorin, zgjerimi ishte 37% (në 11 miliardë lekë), nga 73% për dymujorin. Në prill madje eksportet e këtij grupi u rritën me vetëm 17%, teksa Bankers Petroleum, prodhuesi i naftës dhe eksportuesi më i madh në vend, një pjesë të konsiderueshme të prodhimit po e shet në tregun vendas, te kompania IRTC, që ka marrë në shfrytëzim rafinerinë e ARMO-s.

Një rritje të fortë të eksporteve ka shënuar dhe grupi “materiale ndërtimi dhe metale”, shitjet e të cilit janë rritur me ritme treshifrore për katërmujorin, duke u zgjeruar me 28%. Edhe ky grup, vitin e kaluar kishte shënuar rënie, si rrjedhojë e falimentimit për arsye ristrukturimi te Kurum. Rivënia në punë e Kurum, tashmë në emrin e Albmetal, ka rigjallëruar eksportet e këtij grupi, por ecuri të mirë po raportojnë dhe prodhuesit e çimentos, kryesisht drejt Maqedonisë.

Ndryshe nga viti i kaluar, kur tekstilet dhe këpucët amortizuan rënien e lëndëve djegëse e mineraleve, këtë vit, kjo industri nuk e ka nisur mbarë. Eksportet e tekstileve e këpucëve u rritën minimalisht me 7.5% në 28 miliardë lekë, por gjithsesi ato vijuan të jenë grupi më i madh i eksportuar. Vitin e kaluar ky grup shënoi rritje dyshifrore.

Eksportet e ushqimeve, janë rritur për katërmujorin me 7.4%, duke iu rikthyer zgjerimit pozitiv në mars-prill, pas goditjes nga ngricat në dy muajt e parë të vitit.

Pas një rënieje dy vitet e fundit, “makineritë dhe pajisjet” janë rritur me gati 13%.

Në total, struktura e eksporteve shqiptare vijon të jetë e varur nga krahu i lirë i punës (fasoni) dhe shitja e burimeve natyrore, duke qenë tepër e varur si nga luhatjet e çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare, ashtu dhe nga Italia, që është destinacioni kryesor ku shkojnë produktet e tekstileve e këpucëve. /Monitor/