Published On: Mon, May 15th, 2017

Bankat nuk gjejnë hapësire në ekonominë private, zgjerojnë investimet në borxhin e qeverisë edhe më 2017

Në fund të muajit mars, bankat zotëruan rreth 58% të portofolit të letrave me vlerë të qeverisë përkundrejt 57% një vit më parë, sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë. Gjithashtu, prania e individëve në këtë treg është shtuar. Në fund të muajit mars, individët zotërojnë rreth 25% të stokut të borxhit të letrave me vlerë.

Kjo preferencë e bankave ka ardhur edhe pse interesi i letrave të borxhit të qeverisë erdhi me ulje të ndjeshme këtë vit.

Yield-i 12-mujor rezultoi 1.79% në fillimin e muajit prill, nga niveli prej 3.22% që shënonte në muajin janar.

Yield-i i obligacionit 2-vjeçar (i cili ka emetime të rregullta mujore) u ul në 2.25% në ankandin e muajit prill, nga 3.80% në janar.

Në ankandet e obligacioneve 5-, 7- dhe 10-vjeçare (emetime tremujore), yieldet rezultuan përkatësisht 5.15%, 5.24% dhe 6.45%, nga 5.25%, 5.98% dhe 7.20%, që kishin shënuar në ankandet paraardhëse respektive.

Kërkesa e qeverisë për financim ka qenë e lartë në tremujorin e parë, por pjesëmarrja dhe oferta e bankave në ankande është rritur, duke diktuar prirjen rënëse tek yield-et. Ulja e yield-eve ka qenë e pranishme tek të gjitha maturitetet, por me intensitet të ndryshëm – ajo ka qenë më e fortë në maturitetet 12- dhe 24-mujore

Kërkesa për të blerë obligacione ka njohur rritje në tremujorin e parë, duke konfirmuar rritjen e interesit të bankave për këto instrumente investimi.

Në fund të muajit mars, huamarrja e brendshme rezultoi 11.2 miliardë lekë dhe u formua në masën më të madhe (rreth 90%) nga instrumentet afatgjata, shkruan Monitor.

Rreth 48% të shtesës së stokut të borxhit të brendshëm nga fundi i muajit dhjetor 2016 e ka sjellë emetimi i obligacionit 2-vjeçar në monedhën Euro.

Pjesa tjetër është formuar nga obligacionet 7- dhe 10-vjeçare, si dhe bonot e thesarit, duke kompensuar edhe reduktimin e portofolit të obligacioneve 3-vjeçare me rreth 1.1 miliardë lekë. Përsa i përket aktorëve të tregut të letrave me vlerë, roli i sistemit bankar mbetet dominues.