Published On: Mon, May 8th, 2017

Tiranë, 13 mijë aplikime për kreditë e buta. Një mijë do jenë përfitues

Të pastrehët që kanë aplikuar për kredi të butë dhe kanë kaluar 3 muaj nga dorëzimi i dosjes në njësitë administrative duhet të rifreskojnë dokumentacionin e tyre.

Edhe ata që muajt e fundit kanë ndryshuar statusin civil, apo pagën duhet të interesohen pranë njësive administrative për të plotësuar dosjen e tyre. Kreditë e buta janë hapur dhe deri më tani janë kryer 13 mijë aplikime. Bashkia ka nisur një fushatë informuese mbi procedurën që duhet të ndjekin qytetarët.

Erjon Veliaj: “Nga sot çdo qytetar i Tiranës që plotëson këto kritere, ku ne targetojmë kryesisht familjet e reja, mund të shkojnë pranë njësive administrative dhe të bëjnë aplikimin për të marrë një kredi të butë të subvencionuar nga Bashkia e Tiranës dhe pastaj kredinë e merr në bankat e nivelit të dytë.”

Kredia e butë përfitohet për 20 vite me një interes të pandryshueshëm 3% dhe pjesën tjetër e merr përsipër Bashkia, gjatë gjithë viteve pavarësisht luhatjeve të bursës. Kryebashkiaku Veliaj, tha se mundësia e strehimit shkon për ata që kanë nevojë dhe jo për ish-zyrarët e lartë si në kohën e PD-së.

Erjon Veliaj: “Prej faktit që shumë prej zyrtarëve të qeverisë Basha-Berisha morën paratë e kredive të buta, në fakt njerëz që ishin nevojtarë dhe që përfitonin nga këto programe mbeten pa gjë.”

Personat që mund të jenë përfitues të këtij programi social duhet të jenë mbi 18 vjeç, nuk kanë një banesë të tyre por punojnë dhe kanë një pagë afër 40 mijë lekë në muaj. Çifteve të reja do tu jepet përparësi, por me kredi lehtësuese do të mbështeten personat që kanë nevojë për strehë.

/Oranews.tv/