Lajm i keq për avokatët, mjekët, farmacistët, inxhinierët, ekonomistët.... -Albpress Daily News
Published On: Pre, Pri 27th, 2018

Lajm i keq për avokatët, mjekët, farmacistët, inxhinierët, ekonomistët….

Ashtu sikurse ishte paralajmëruar, profesionet e rregulluara do të përfshihen në skemën e TVSH-së, pa përjashtim.
Vendimi i qeverisë për që amendon dispozitat zbatuese të ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar është publikuar në Fletoren Zyrtare duke marrë fuqi ligjore.

“Kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në për personat e tatueshëm, që ofrojnë shërbime në veprimtari ekonomike, sipas profesioneve të tilla si: avokat, noter, mjek i specializuar, dentist, dentist i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë, pavarësisht nga qarkullimi vjetor i tyre, është zero. Të gjithë këta janë persona të tatueshëm, të regjistruar për TVSH-në, edhe nëse kryejnë veprimtari të përjashtuar sipas ligjit” përcaktohet në vendim.

Po ashtu, vendimi parashikon që për prodhuesit bujqësorë, për të cilët zbatohet regjimi i veçantë i skemës së kompensimit dhe që e zhvillojnë veprimtarinë ekonomike si fermerë individualë, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh në një vit kalendarik.

“Prodhuesit bujqësorë, për të cilët zbatohet regjimi i veçantë i skemës së kompensimit të fermerëve, por që e zhvillojnë veprimtarinë ekonomike në kuadrin e një sipërmarrjeje bujqësore të organizuar si shoqëri e bashkëpunimit bujqësor (SHBB), janë të përjashtuar nga aplikimi i kufirit si më sipër, për regjimin e veçantë të skemës së kompensimit, me kushtin që kjo SHBB të kryejë vetëm veprimtari të shitjes së produkteve bujqësore të anëtarëve të saj te tatimpagues që nuk janë pjesë e skemës së kompensimit.

Në këtë rast, blerësi, person i tatueshëm, lëshon faturë tatimore vetëm për shitësin, shoqëri e bashkëpunimit bujqësor, ndërsa kjo e fundit nuk lëshon faturë tatimore, sipas parimeve të kësaj skeme për fermerët anëtarë të SHBB-së. Nëse shoqëria e bashkëpunimit bujqësor, krahas shitjeve në kuadrin e regjimit të veçantë të skemës së kompensimit të fermerëve, kryen edhe veprimtari të tjera, regjistrohet në skemën normale të aplikimit të TVSH-së” përcaktohet në vendim./scan