Published On: Enj, Kor 5th, 2018

Kuvend/ Rama do të tentojë të miratojë ligjin për Teatrin, ja skenarët e opozitës

Mbështetës të opozitës janë thirrur sot në një tubim protest para Parlamentit, ku me proçedurë të përshpejtuar është diskutuar dhe pritet të miratohet pr/ligji i qeverisë që i hap rrugën shembjes së godinës aktuale të Teatrit Kombëtar, dhe i hap rrugën ndërtimit të një godine të re, si dhe 6 kullave shumëkatëshe nga firma Fusha.

Protesta do të nisë në orën 10:00, në të njëjtën kohë që nis punimet edhe seanca plenare.

Pafrike.al ka mësuar se deputetët e opozitës do të tentojnë të bllokojnë në seancë miratimin e ligjit, ndërsa nga jashtë protestuesit do të ushtrojnë presion për të detyruar qeverinë të tërhiqet. Shanset që Kryeministri Rama të tërhiqet nga miratimi i draftit janë pothujse minimale, ndërsa nuk dihet sepse ai kërkoi një miratim përtej çdo procedure të draftit që favorizon një firmë ndërtimi.

Burimet nga opozita shprehen se deputetët e saj do të kërkojnë fjalën për proçedurë dhe me shumë gjasa, drejtuesi i seancës nuk do t´I lejojë, çka do të thotë se ata do të protestojnë për të bllokuar seancën, duke qëndruar në foltoren e Kuvendit.

Pritet që opozita të përdorë të njëjtat skema si në rastin e zgjedhjes së Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku, disa muaj më parë.

Por seancat e mëparshme kanë provuar, se socialistët kanë miratuar ligjet në kushte të ngjashme, pra me një opozitë që proteston dhe qëndron rreth foltores dhe ligjvënës të PS-së që ngrenë dorën për miratimin e ligjeve.

Në anën tjetër, artistët dhe aktorët do të qëndrojnë në ballë të protestës ku hera herës do të mbështeten nga deputetët e opozitës.

Thirrja për protestë

Parlamenti ka futur për votim në seancën e të enjtes me procedure të përshpejtuar projekligjin më të turpshëm në historinë e parlamentarizmit. Ky projektligj parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar, i cili është pjesë e ansamblit historik monumental të qendrës së Tiranës dhe symbol i identitetit kombëtar, si edhe kalimin e mbi 8000 m2 truall publik në pronësi të firmës Fusha.shpk e cila autorizohet të ndërtojë aty kulla shumëkatëshe.

Ky projektligj është në kundërshtim me Kushtetutën dhe një seri ligjesh të tjera të Shqipërisë. Artistë, aktivistë, intelektualë e qytetarë kanë muaj që protestojnë kundër kësaj marrëzie e cila nëse kthehet në realitet rrezikon të zhdukë përgjithmonë një nga godinat më të vjetra dhe më domethënëse në Tiranë si edhe ti falë truallin publik më të vlefshëm një kompanie private.

KJO ËSHTË NJË VJEDHJE!

KY ËSHTË SHKATËRRIM!

Ditën e enjte, ne do të jemi përballë Parlamentit për të kundërshtuar me forcë marrëzinë dhe babëzinë. Mund ti ndalim nëse edhe ti bashkohesh!

Të presim të enjten ora 10:00 para Parlamentit!

 

Shkruaj nje koment

avatar
  Subscribe  
Notify of