Kuvend, ja çfarë do diskutohet/ Opozita pritet të protestojë -Albpress Daily News
Published On: Enj, Maj 31st, 2018

Kuvend, ja çfarë do diskutohet/ Opozita pritet të protestojë

Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare në orën 10:00 në një seancë e cila pritet të mos jetë shumë e qetë.

Kjo për faktin se opozita pritet të protestojë ashtu sikundër ka ndodhur edhe në seancat e fundit me një kërkesë të qartë largimin ose dorëheqjen e Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm.

Pas publikimit të audio-përgjimit ku shfaqen “Dëshmitari X” në një bisedë me vëllain e ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj, opozita akuzon Fatmir Xhafajn se ka mbrojtur familjarin e tij, i cili sipas PD vijon trafikun e drogës.

Opozita ka vendosur një raport të kushtëzuar me Kuvendin deri në 28 qershor, ndërsa ka protestuar në të gjitha komisionet parlamentare. Pritet që në seancë të ketë një skenar të ngjashëm me atë të ditëve të fundit ku deputetët e PD-së do të mbajnë të bllokuar foltoren e Kuvendit për një pjesë të kohës dhe më pas do të largohen.