Published On: Hën, Pri 23rd, 2018

“Kërcënimet” e Tahirit, Veliaj: Ish-ministri të provojë të drejtën e vet

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka komentuar edhe mesazhet e Saimir Tahirit pas seancës së Kuvendit javën e kaluar.
Te “5 pyetjet nga Babaramo”, Veliaj tha se nuk sheh lajme, ndërsa shtoi se detyrë e ish-ministrit është të provojë të drejtën e vet.

Si i cilësoni mesazhet e koduara të Tahirit…
Veliaj: Nuk i kam ndjekur. Jam një njeri shumë i lumtur që nuk shoh lajme, fare.

Tahiri tha, nuk ka bir nënë dhe bir kurve që të më trembë mua…
Veliaj: Nëse dikush i ka thënë trembesh, i është përgjigjur në mënyrë popullore që nuk trembem. Çfarë duhet të komentojë kryetari i bashkisë?

A duhet të ishte aprovuar kërkesa e prokurorisë për arrestimin?
Veliaj: Kam tre vjet që s’jam në parlament, në qeveri, kolegu jonë të përballet me drejtësinë dhe të provojë të drejtën e tij. Duhet pyetur dikush që ka qenë në komision, unë s’kam parë një gjë të tillë. Të provojë të vërtetën e vet.

Kaq shumë di Tahiri sa të shantazhojë…
Veliaj: Në atë komision nuk u dha një provë që të justifikonte arrestin me burg. Saimiri është në këtë qytet, nuk është larguar, është në gatishmëri të kësaj drejtësie.

Pse PS i ofroi mbrojtje?
Veliaj: PS s’i ka ofruar mbrojtje askujt. Ka larguar shumë anëtarë kur ka pasur insinuata për probleme me drejtësinë. PS është e fundit që mund të shantazhohet, nuk është fare ky proces.

A e shihni të mundshëm rikthimin e tij në PS?
Veliaj: Pas këtij procesi duhet të vendosë ai se cili do jetë angazhimi politik.