Published On: Sht, Jan 13th, 2018

Këngë trimërie per ‘valltarin fluturues’, Rexhep Çeliku….

Me përfundimin e homazheve, arkivoli me trupin e “Nderit të Kombit”, “Mjeshtrit të Madh” Rexhep Çeliku, ka dalë në orën 13:00 nga salla e Muzeut Historik Kombëtar nën tinguj këngësh trimërore, mbi supet e familjarëve dhe miqve të tij. Dy prej tyre kishin veshur kostumet kombëtare me të cilat Çeliku interpretoi vallet më të bukura kombëtare.

“Mjeshtri i Madh” Rexhep Çeliku, solisti i parë i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, u nda nga jeta diten e djeshme, 12 janar. Ai vuante nga një sëmundje e rëndë.

Pas ditë më parë, Presidenti Ilir Meta i dha titullin “Nderi i Kombit”, ceremoni në të cilën Mjeshtri Çeliku u paraqit vetë, edhe pse i sëmurë rëndë.

Rexhep Çeliku ka lindur me 19 korrik 1954 në Tiranë. Që nga viti 1976 ka punuar solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe numëron në reportorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje dhe mbi 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit.

Është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, me motivacionin “për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin”.

Valltari flutures, interviste e vitit 2014

“Valltari fluturues” titullohet një monografi kushtuar Mjeshtrit të Madh Rexhep Çeliku, i cili ndërroi jetë të premten e 12 janarit 2018, pak pas mesnate Monografia kushtuar Çelikut është shkruar nga Dedin Suli. Gjatë një interviste kohë më parë, Çeliku ka treguar për hapat e parë se si është ngjitur në skenë, pa harruar të përmendë dorën e ngrohtë të të madhit Panajot Kanaçi .

Një monografi e Dedin Sulit, enkas për ju… Si ndiheni?

Jam i emocionuar, edhe pse unë nuk kisha koncert, përsëri ky është një “koncert” shumë i madh për mua. Kjo monografi ishte përmbledhja e gjithë jetës sime, duke filluar që nga adoleshenca dhe deri në ditët e sotme. Janë rreth 45 vjet në skenë, 45 vjet të mbushura me emocione, sepse artistit nuk i ndahen emocionet deri sa të mbyllë sytë. Kështu që, edhe promovimi i sotëm ishte një emocion i madh, sepse këtu kisha të gjithë profesorët e Teatrit Kombëtar të Operës, duke filluar nga teatri, opera, orkestra etj., prandaj ky promovim do të ngelet në kujtesën time si një moment shumë i veçantë.

A ka ndonjë episod të rëndësishëm të jetës suaj që nuk është përmendur në libër?

Sado që t’i shikoj episodet, në libër ka shumë gjëra që nuk janë shkruar. Duhen shumë libra që të shkruash për jetën e një artisti, sepse ka edhe detaje jashtë jetës artistike që përsëri lidhen me artin. Pra janë shumë gjëra që në libër edhe nuk janë shkruar.

Nëse ndalim te fillimet e tuaja në kursin e valltarëve, çfarë do të veçonit?

Fillimisht si të gjithë adoleshentët jam marrë me sport. Pas futbollit kam filluar punë në kursin e ansamblit. I jam mirënjohës dorës së ngrohtë të profesorit Panajot Kanaçit, sepse nëse nuk do të ishte dora e tij, nuk do të isha ky që jam sot.

Profesor Panajot Kanaçi ju ka marrë teksa ishit duke punuar në ndërtim?

Të rinjtë në kohën e monizmit punonin ose në ndërtim, ose në fermë, për t’i ardhur në ndihmë familjes. Unë isha një nga ata të rinj që nuk doja të rrija kot. Duke qenë me trup të madh mendova se, në ndërtim mund të jepja më shumë, pasi edhe lekë kishte më shumë. Kështu që, tri muajt e verës nisa ndërtimin dhe gjatë kësaj kohe, profesor Panajoti më ka parë teksa punoja mbrapa TKOB-së. Kështu, nisën hapat e parë në këtë institucion dhe më pas nisa kursin e valltarëve. Më përpara unë nuk e njihja dhe nuk e kisha idenë se kush ishte profesori i nderuar Panajot Kanaçi. Në klasë të shtatë kisha parë vetëm baletin “Peter dhe ujku” që na mësonte shkolla, kaq njohuri kisha përsa i përket artit.

Si ndihesh kur të krahasojnë me valltarin e madh Besim Zekthi?

Është një kënaqësi e madhe që e ndiej qysh në moshën 16-vjeçare, sepse qysh atëherë kam kërcyer me Besim Zekthin, derisa ai doli në pension. Unë përsëri vazhdoj një jetë të afërt me profesor Besimin, komunikojmë edhe e ndihmoj kur ai ka krijimtari.

Profesor Zekthi preku disa problematika të ansamblit, por ju si drejtues çfarë do të thoshit?

Unë po vazhdoj me një kujdes të veçantë për të mbajtur gjallë atë punë që kanë bërë profesorët tanë si: Panajot Kanaçi, Agron Aliaj, Besim Zekthi etj., dhe po mundohem që të vazhdoj në vijën e tyre, duke u përpjekur dhe duke bërë maksimalen për ta mbajtur ansamblin të freskët.

Dhe sa do të vazhdoni që të kërceni?

Skena gjithmonë kërkon gjak të ri. Siç na e kanë lënë të parët tanë artin skenik, ashtu do t’ua lë vendin edhe unë të rinjve. Nëse nuk do të kërcej më në skenë, në ambiente të tjera do të kërcej derisa të jem i fuqishëm. /Intervistë e vitit 2014