Published On: Pre, Qer 8th, 2018

Kampi i ISIS-s në Shqipëri? Basha ka një reagim të fortë ndaj Ramës: Mos guxo…

Kryetari i PD-së Lulzim Basha deklaroi sot se lufta kundër trafikut të refugjatëve përmes Shqipërisë dhe ngritja e mundshme e një kampi të tyre në Shqipëri nuk mund të ishte kurrsesi vendim i një personi të vetëm si kryeministri, as i një qeverie që deri dje mohonte krimin, drogën, trafikun.

“Një dimension i tillë që kapërcën kufijtë e vendit tonë nuk mund të jetë kurrsesi një vendim i vetëm një personi e aq më pak, nëse kjo serviret, një karamele për të ëmbëlsuar gojën e hidhur të Europës nga skandalet Tahiri-Xhafaj dhe lufta e pamjaftueshme kundër krimit dhe drogës”, theksoi Basha.

Z. Basha, a jeni në dijeni ju si lider i opozitës për një plan të mundshëm për ngritjen e një kampi refugjatësh në Shqipëri? i referohem disa publikimeve në media të ndryshme, që kanë qarkulluar nga dita e djeshme dhe që kanë qarkulluar edhe sot e ku gjithsesi, nuk përmendet shprehimisht Shqipëria. Nga biseda me miqtë austriakë, a keni ndonjë informacion shtesë?

Basha: Unë kam qënë në komunikim të vazhdueshëm me partnerët tanë, duke përfshirë kancelarin austriak Kurz dhe të tjerë përfaqësues të qeverive perëndimore dhe mbi këtë problem. Shqetësimi përsa i përket Shqipërisë dhe të ashtuquajturës rrugë ballkanike ka të bëjë me a është e aftë Shqipëria në këtë gjendje të shtetit ligjor, në këtë gjendje të luftës ndaj krimit dhe korrupsionit, që konsiderohet e pamjaftueshme të përballojë një krizë të tillë?

Ne si opozitë jemi të angazhuar plotësisht për të dhënë kontributin tonë nga përgjegjësitë e opozitës. Nga ana tjetër e kemi bërë fare të qartë ashtu si në luftën kundër trafikut të drogës, të qënieve njerëzore, të korrupsionit qeveritar, diferenca bëhet nga mungesa e vullnetit politik apo ekzistenca e vullnetit politik.

Opozita, PD, e ka demostruar katërcipërisht vullnetin politik për t’u përballur me të vërtetat ndërsa një qeveri deri dje që e mohonte krimin, drogën, trafikun, në velrësimin tonë nuk ka as besueshmëri, as vullnetin politik dhe as potencialin për të mobilizuar kapacitetet shtetërore.

Ndaj një dimension i tillë që kapërcën kufijtë e vendit tonë nuk mund të jetë kurrsesi një vendim i vetëm një personi e aq më pak, nëse kjo serviret, një karamele për të ëmbëlsuar gojën e hidhur të Europës nga skandalet Tahiri-Xhafaj dhe lufta e pamjaftueshme kundër krimit dhe drogës.