Published On: Mër, Gus 16th, 2017

Ja si i fshehu holandezi  pamjet e ndaluara të Tiranës më 1987 (Foto) …

Sikur të mos i kishte fshehur filmat fotografikë në valixhet e një kolegu, sot ato dëshmi do të ishin zhdukur.

Kundër të gjitha rregullave tç asaj kohe, fotografi holandez Piet den Blanken fotografoi Shqipërinë e vitit 1987, jo ashtu si programohej në protokollin zyrtar, por atë të “fshehtën”, që mbahej larg syve të turistëve.

Sot, pas 30 vjetësh, ai i ekspozon në Tiranë fotografitë e tij bardhezi, si jeta e shqiptarëve në ato vite, shkruan “Panorama”.

Ekspozita titullohet “Ana tjetër e komunizmit shqiptar” dhe hapet në Muzeun Historik Kombëtar ditën e enjte.

Kjo ekspozitë do të shoqërohet edhe me një bashkëbisedim mes fotografësh, të cilët kanë pasur të njëjtat eksperienca me Blanken. Janë 12 fotografë të famshëm holandezë, të cilët kanë dokumentuar që të gjithë periudhën para dhe gjatë revolucioneve të ndryshme në vendet e ish- bllokut lindor, duke qenç dëshmitarë të momenteve historike, të tilla si krijimi në vitin 1980 i bashkimit polak të tregtisë, Solidariteti, në Gdansk; rënia e Murit të Berlinit dhe Revolucioni në Rumani, në vitin 1989.

Së bashku me ngjarjet e mëdha që do të nisnin një kapitull të ri për Europën Lindore e Qendrore, me aparatet e tyre, ata kanë kapur edhe momentet e zakonshme të përditshmërisë, duke ofruar një pamje të plotë të bllokut lindor të asaj kohe.

Ato janë pamje që shumë i kanë ende të gjalla në mendje, në sy, në lëkurë… Madje, diku-diku, ndonëse kanë kaluar shumë vite, gjurmët e asaj të shkuare të errët janë shumë të qarta.

Një pjesë e veçantë e ekspozitës i dedikohet punës së foto-gazetarit Piet den Blanken, i cili ka udhëtuar nëpër Shqipëri në vitin 1987, si pjesë e grupit të “shokëve të idealit”. Pavarësisht ligjit që ndalonte kontaktet midis shqiptarëve dhe vizitorëve të huaj, si edhe ligjit që ndalonte realizimin e fotografive në rrugë, ai ia doli të bënte shumë fotografi të shqiptarëve dhe jetës së tyre të përditshme nën regjimin komunist.

“Shqipëria ishte një nga vendet më të mbyllura në Europë deri në vitin 1990. Ishte e vështirë për të udhëtuar në Shqipëri, ashtu siç është e vështirë të udhëtosh në Korenë e Veriut. E vetmja mënyrë për të fotografuar në Shqipëri ishte të vizitoje vendin si një turist me një turne grupor të udhëhequr nga një udhëzues shqiptar”, është shprehur Piet de Blanken për organizatorët e ekspozitës.

Fotografi, që sot është te të 60-tat, i ka realizuar këto fotografi, kryesisht në orët e para të mëngjesit dhe në mbrëmje.

Gjatë ditës, ai ndiqte programin zyrtar të grupit. Në këtë mënyrë, ai u përpoq të merrte një imazh tjetër të vendit, një imazh që nuk ishte treguar në programin zyrtar të grupit. Shpesh u shoqërua nga policia, e cila e kapte duke shkelur ligjin e duke fotografuar “pa leje”.

Në fund të udhëtimit, filmat dhe gjërat e tij u konfiskuan, por ai ishte përgatitur për këtë rast, ndaj edhe kishte marrë masa paraprake, duke fshehur filmat në bagazhet e njërit prej anëtarëve të grupit.

 

Albpress Lajme

Albpress Lajme