Published On: Mër, Qer 6th, 2018

Ja sa do paguhen gjyqtarët dhe prokurorët që kalojnë Vettingun

Shtatë gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët kanë kaluar deri tani rrjetën e trefishtë të Vetingut, duke u konfirmuar në detyrë, do të shpërblehen nga shteti shqiptar. Subjektet e konfirmuara në detyrë do të përfitojnë shumëfishim të pagës, shpërblime të tjera, mundësi për të marrë shtëpi të financuar nga shteti, siguri fizike, siguri për fëmijët, pensione speciale, pushime të gjata të paguara etj.

Të gjitha këto privilegje janë kërkuar nga përfaqësuesit e SHBA-BE, që kanë asistuar autoritetet shqiptare për hartimin e reformës në drejtësi, me qëllim për t’i bërë njerëzit e drejtësisë së re të pavarur nga politika dhe të pathyeshëm nga krimi. Këto garanci pritet t’i bëjnë gjyqtarët dhe prokurorët që do të shërbejnë në drejtësinë e re, të pathyeshëm. Të gjitha këto përfitime do të garantohen nga shteti shqiptar, në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi.

Rritja e pagës

Paga e një gjyqtari dhe prokurori që ka kaluar Vetingun shkon deri në 3 mijë USD në muaj. Sipas nenit 12 të ligjit për statusin e magjistratëve, paga bazë e prokurorit dhe gjyqtarit që kalon Vetingun shkon sa 90 % deri në 106 % e pagës së drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri. Ata do të marrin edhe një shtesë për vjetërsi në ushtrimin e funksionit llogaritet në masën 2 për qind të pagës referuese bazë për çdo vit shërbimi në funksion, por jo më shumë se 25 vjet shërbim, shkruan shekulli. Com.

Gjithashtu, prokurorët dhe gjyqtarët e deleguar në një rreth tjetër, në largësi më shumë se sa 45 km, do të përfitojnë edhe 60 % të pagës. Për ushtrimin e funksionit të kryetarit të gjykatës ose të prokurorisë, magjistrati përfiton 10 për qind shtesë page mbi pagën bruto fillestare të tij.

Po ashtu, çdo vit, prokurorët apo gjyqtarët të cilët në vitin paraardhës kalendarik, në mënyrë të veçantë, kanë pasur vlerësimin më të lartë etik dhe profesional, marrin një shpërblim të barabartë me një pagë referuese bazë. Por, nuk mbaron me kaq. Gjyqtarët dhe prokurorët do të paguhen për orët e punës jashtë orarit, do t’u kompensohet çdo shpenzim nëse punojnë në një rreth tjetër, do të paguhen për vështirësi etj. Ata do të përfitojnë edhe shtesa për vjetërsi në punë.

Kredi për shtëpi të financuar nga shteti
Gjyqtarët dhe prokurorët që kanë kaluar Vetingun do të mund të marrin kredi të financuar nga shtetit, për të blerë shtëpi të reja në qendrat e qyteteve ku ushtrojnë detyrën. Konkretisht, gjyqtari apo prokurori ka të drejtë që një herë gjatë ushtrimit të funksionit të tij, pasi të ketë ushtruar jo më pak se tre vjet të detyrës, të përfitojë kredi për shtëpinë të financuar nga shteti, në shumën e vlerës mesatare të një apartamenti prej 50 m2 në zonën e qendrës së qytetit ku magjistrati ushtron detyrën.

Ndërkaq, për çdo anëtar të familjes, i cili jeton në të njëjtën banesë me magjistratin, masa referuese e sipërfaqes së banesës shtohet me 10 m2 për person. Banesa e blerë nëpërmjet kredisë lihet kolateral në bankë për sigurimin e kredisë. Por, magjistrati ka të drejtë të shesë pronën gjatë kohës së amortizimit të kredisë dhe të blejë një banesë tjetër. Në rastet kur shuma e përfituar nga shitja është me e madhe se rritja e vlerës së tregut të pronës, atëherë diferenca do t’i kthehet shtetit. Magjistrati nuk ka të drejtë të japë me qira banesën e përfituar me kredi.

Mbrojtje të veçantë
Gjyqtarët dhe prokurorët që kanë kaluar Vetingun me sukses përfitojnë mbrojtje të veçantë nga shteti, përfshirë edhe familjet e tyre. “Gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij, magjistrati dhe familja e tij gëzojnë të drejtën të kenë mbrojtje të veçantë nga shteti për jetën, shëndetin dhe pasurinë e tyre.

Magjistrati që nuk e ushtron funksionin ose që ka dalë në pension gëzon këtë mbrojtje, në rast se e kërkon, si dhe në rast cenimi për shkak të ushtrimit të mëparshëm të funksionit të magjistratit. Në rast se jeta, shëndeti dhe pasuria e magjistratit ose familja e tij janë në rrezik, shteti ofron mbrojtje të veçantë, si dhe mbrojtje fizike, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, pas konsultimit me Këshillat.