Ish-ministrja e Ramës: Ballkani nuk ka nevojë për Kryeministra që veprojnë sikur drejtojnë SHBA -Albpress Daily News
Published On: Pre, Gus 10th, 2018

Ish-ministrja e Ramës: Ballkani nuk ka nevojë për Kryeministra që veprojnë sikur drejtojnë SHBA

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, përmes një komenti në rrjet thekson se Ballkani ka qenë dhe vazhdon të mbetet një vatër e nxehtë dhe epiqendër për lindjen e konflikteve.

Teksa shprehet kundër ndarjes apo rishpërndarjes së kufijve, deputetja e LSI-së nënvizon faktin se Ballkani kërkon njerëz vizionar që në shekullin ku ne jetojmë të mos mendojnë për këto çështje.

Gjosha shprehet se çështjet në Ballkan nuk trajtohen dot me burokraci apo me disa arritje imagjinare në cv-të e tyre.

Ajo akuzoi indirekt Kryeministrin Rama duke thënë se Ballkani nuk ka nevojë për kryeministra që veprojnë sikur po drejtojnë Amerikën.

Postimi i KLAJDA GJOSHËS

Ballkani ka qenë dhe vazhdon të mbetet një vatër e nxehtë, epiqendër e lindjes së konflikteve dhe ku termi stabilitet asnjë herë nuk ka marrë kuptimin e duhur.

Ndër vite është dashur që fuqitë e mëdha të ushtrojnë presionin por dhe mbështetjen e tyre në mënyrë që të arrihej deri diku një lloj paqeje e brishtë, mes vendeve që gjithmonë kanë pasur probleme etnike, territoriale e që jo pak herë kanë rezultuar në luftra të përgjakshme.
Çështjet në Ballkan nuk trajtohen dot me burokraci dhe teknikalitete, as me njerëz që kërkojnë të shtojnë disa arritje imagjinare në cv-të e tyre dhe aq me pak me ata që mendojnë se të jesh kryeministër i një vendi ballkanik do të thotë të veprosh sikur drejton Amerikën!

Ballkani kërkon njerëz vizionar që në shekullin ku ne jetojmë të mos mendojnë për ndarje apo rishpërndarje kufijsh por mbi çdo gjë tjetër për gjetjen e vlerave të përbashkëta, bashkëpunimin ekonomik pa pengesa dhe respektimin e të drejtave të njeriut në cilindo vend ku ata jetojnë.

BE dhe SHBA, si partner të pazëvendësueshëm strategjik, duhet të jenë pjesë e zgjidhjes së problemeve me njerëz që njohin historinë dhe mentalitetin ballkanik. Për të gjithë ne është jetike mbështetja e tyre e sinqertë, si udhërrefyes te perspektivës tonë euro atlantike. Ballkani i izoluar në vetvete dhe me lidera që mendojnë të ruajnë vetëm pushtetin dhe status quo-n e tyre, duke shkelur çdo prioritet kombëtar e rajonal, mund të kthehet shumë shpejt në një rajon që vë në rrezik stabilitetin dhe sigurinë europiane!

Shkruaj nje koment

avatar
  Subscribe  
Notify of