Published On: Enj, Qer 14th, 2018

Ish-ministri i Ramës thirrje Metës: Mos firmos plotfuqishmërinë, pasi…

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i ka drejtuar një apel Presidentit Ilir Meta që të mos firmosë plotfuqishmërinë për marrëveshjen me detin.

Referuar takimit të një dite më parë të Presidentit me Kryeministrin, faktit që Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit, Manjani i ka bërë sot një thirrje publike presidentit, për mos dhënien e kësaj plotfuqishmërie.

Në shënimin e tij për këtë çështje Ylli Manjani shkruan, se nuk mund të këtë marrëveshje për sa kohë që në vend nuk ka Gjykatë Kushtetuese.

”Është kjo gjykatë që vlerëson kushtetutshmërinë e marrëveshjeve, por ajo nuk ekziston! Ndaj s’mund të ketë marrëveshje me askënd! Aq më tepër një marrëveshje për de-limitim kufinjsh”, shkruan ai sot në facebook.

Komenti i Ylli Manjanit

Plotfuqishmëri për marrëveshjen e detit?! Në mënyrë absolute jo! Kjo do ishte pjesë e tradhëtisë ndaj vendit. Republika e Shqipërisë për turpin e vet, nuk është në pozita kushtetuese të nënshkruajë marrëveshje ndër-shtetërore me askënd, sepse:

NUK KA GJYKATË KUSHTETUESE!

Është kjo gjykatë që vlerëson kushtetutshmërinë e marrëveshjeve, por ajo nuk ekziston! Ndaj s’mund të ketë marrëveshje me askënd! Aq më tepër një marrëveshje për de-limitim kufinjsh! Pu pu pu pu….

Me gjithë respektin, por: As qeveria, që ka treguar qartë që shet çdo gjë e gjithkënd, për pushtetin e Xhafallarëve e as Ramallarëve; As Presidenti, që ende nuk ka asnjë fjalë për keqqeverisjen; Nuk janë garanci për kushtetuetshmërinë e marrëveshjeve ndër-shtetërore!

Edhe sikur të dy këto institucione të ishin 100% qelibar, prap nuk janë garanci në kuptimin Kushtetues! Kjo garanci sipas Kushtetutes jepet vetëm nga Gjykata Kushtetuese!Si në çdo vend tjetër të botës. Kujtoj që edhe në shtetin e ri të Kosovës, ishte Gjykata Kushtetuese që i dha garancinë përfundimtare marrëveshjes me Malin e Zi!

Republika e Shqipërisë nuk e jep dot këtë garanci kushtetuese qytetarëve të saj! Kulmi! Marrëveshja e detit nuk është as kontratë koncensioni e as vendim qeverie që prish e ndreq ndërtesa publike, apo që pezullon çertifikatat e pronësisë!!!

Nëse duan të bëjnë ndonjë gjë të hajrit, të publikojnë rezultatin e negociatave dhe një hartë që del nga këto. Të ftojnë opinionin dhe specialistët të japin vlerësimet e tyre, deri sa vendi të ketë një Gjykatë Kushtetuese! Të “përfitojmë” nga kjo gjë absurde! Ndryshe, çdo gjë tjetër është Tradhëti ndaj vendit!