Published On: Enj, Qer 8th, 2017

Intervista e Berishës/Çfarë mendon për listat e Bashës, Topallin, të përjashtuarit dhe zgjedhjet në PD

Ish-Kryeministri Sali Berisha deri më tani nuk ka bërë asnjë koment në lidhje me zhvillimet në Partinë Demokratike pas publikimit të listave të kandidatëve për deputet. Të paktën publikisht Berisha ka pohuar se listat e kandidatëve janë hartuar nga kreu demokrat Lulzim Basha, ndërsa ai nuk ka pasur asnjë lloj ndikimi në to. Ish-Kryeministri pak përpara nisjes në Budapest me ftesë të Kryeministrit hungarez Victor Orban ka dhënë një intervistë për TVSH, ku ka bërë disa komente interesante mbi zhvillimet në PD. Intervista pritet të transmetohet të premten në mbrëmje, por një pjesë e përgjigjeve që ka dhënë ish-kreu demokrat, Sali Berisha, mbi listat e kandidatëve, kërkesën e Jozefina Topallit dhe Arben Imamit për shkarkimin e Lulzim Bashës, apo se çfarë do të ndodhë me vetë kreun e PD-së në rast se humbet zgjedhjet janë zbardhur. Në lidhje me listat e kandidatëve për deputet, mësohet se ish-Kryeministri i ka qëndruar deklarimeve të deritanishme se ato janë hartuar nga kreu i PD-së, Lulzim Basha. “Kryetari ka të drejtë të ketë listën e tij, por ai e ka deklaruar se këto janë listat e fundit që do të bëhen në mënyrë të tillë”, mësohet të ketë deklaruar ish-kreu demokrat në intervistë. Ndërkohë Berisha mësohet se është pyetur edhe mbi problemet apo përplasjet e brendshme në PD, për të cilën ka thënë se statusi i tij është i tillë që është njeriu i fundit që mund të pyetet për problemet e brendshme. Ish-Kryeministri ka shmangur komentet mbi kërkesën e bërë nga Topalli dhe Imami për largimin e Lulzim Bashës nga kreu i PD-së, duke u përgjigjur shkurt se nuk ka asnjë koment. Ndërkohë në lidhje me zgjedhjet e brendshme në PD, për të cilat Basha ka deklaruar se do të mbahen në Korrik, ish-Kryeministri mësohet të jetë shprehur se Basha ka përcaktuar se do të bëjë zgjedhje në parti”. Por Berisha ka pohuar se standardi i vendosur prej tij, që u dorëhoq pas humbjes në zgjedhjet e 2013-ës, nuk është një kriter i domosdoshëm për tu ndjekur nga të gjithë. Pas publikimit të listave të kandidatëve për deputet nga Partia Demokratike pati një reagim të fortë të disa prej ish-drejtuesve dhe deputetëve aktualë që nuk u përfshinë në listat për zgjedhjet e 25 Qershorit. Jozefina Topalli dhe Arben Imami kërkuan përmes një konference për mediat mbledhjen e Këshillit Kombëtar për shkarkimin e Bashës nga posti i Kryetarit të PD-së. Topalli dhe Imami thanë se Basha kishte shkelur statusin e partisë duke mos u konsultuar me asnjë nga forumet për listën zyrtare të kandidatëve. Deklarata e bërë publike u pasua nga një takim ku ishin të pranishëm edhe Astrit Patozi, Ridvan Bode, Majlinda Bregu dhe Keltis Kruja, por gjithçka u la në heshtje, siç duket deri në përfundimin e zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit.