Published On: Enj, Gus 17th, 2017

Ikin ministrat teknikë, dërgojnë dorëheqjet në Kryeministri me postë

Ministrat teknikë dhe zv.kryeministrja Ledina Mandija depozituan në Kryeministri, përmes shërbimit postar, dorëheqjet e tyre duke zyrtarizuar në këtë mënyrë largimin nga Qeveria.

Së bashku me zarfin e dorëheqjeve, në godinën e Këshillit të Ministrave ka mbërritur edhe raporti me gjetjet për shkeljet e konstatuara gjatë fushatës dhe ditën e votimit për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.

Dorëheqjet u paralajmëruan dje, ndërsa vendimi është marrë nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Kompetencat e ministrave i kalojnë zv.ministrave deri në krijimin e qeverisë së re, ndërsa prej 12 javësh 6 Ministritë më të rëndësishme në vend u drejtuan nga përfaqësues të opozitës, në kuadër të marrëveshjes së 17 majit mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha.

Të dorëhequrit

Zv/kryeministër Ledina Mandia

Ministër i Brendshëm Dritan Demiraj

Ministër i Financave Helga Vukaj

Ministër i Drejtësisë Gazmend Bardhi

Ministër i Arsimit dhe Sportit Mirela Karabina

Minister i Shëndetësisë Arben Beqiri

Ministër i Mirëqenies Sociale Xhuljeta Kërtusha.