‘Stop Soros’/ Qeveria hungaraze dërgon në Parlament ligjin kundër emigracionit ... -Albpress Daily News
Published On: Mër, Shk 14th, 2018

‘Stop Soros’/ Qeveria hungaraze dërgon në Parlament ligjin kundër emigracionit …

Qeveria hungareze paraqiti në Parlament pr/ligjin që i jep fuqi ministrit të Brendshëm për të ndaluar organizatat joqeveritare (OJQ) që mbështesin migracionin dhe paraqesin një “rrezik të sigurisë kombëtare”.
Një billboard është vendosur në Budapest, më 14 shkurt 2018, në të cilin shkruhet: ‘Soros dëshiron të shpërngulë miliona nga Afrika dhe Lindja e Mesme”.
Projektligji, është një pjesë e rëndësishme e fushatës anti-imigracion të Kryeministrit Viktor Orban kundër organizatave që financohen nga filantropi George Soros.
Qeveria thotë se projektligji, i cili gjithashtu do të imponojë një taksë prej 25 përqind mbi donacionet e huaja për OJQ-të që mbështesin migracionin në Hungari, synon të pengojë migracionin e paligjshëm.
Orban thotë se ky imigracion po shkatërron stabilitetin evropian.
Qeveria hungareze, por edhe ajo në Poloni, janë përplasur me udhëheqjen e Bashkimit Evropian në Bruksel mbi funksionimin e tyre të perceptuar si autoritar, që devijon nga standardet e BE mbi demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Por Orban, që mbron besimet e krishtera konservatore dhe refuzon multikulturalizmin, ka mbështetjen e votuesve hungarezë dhe partia e tij Fidesz pritet të sigurojë një mandat të tretë drejt në zgjedhjet e përgjithshme të datës 8 prill.
Ligji thotë se OJQ-të që “sponsorizojnë, organizojnë ose mbështesin hyrjen ose qëndrimin e shtetasve të vendeve të treta në territorin hungarez nëpërmjet një vendi të tretë të sigurt, për të zgjeruar mbrojtjen ndërkombëtare, kualifikohen si organizata që mbështesin migracionin”.
Një aktivitet i tillë – duke përfshirë fushatën, mbrojtjen, rekrutimin e vullnetarëve, prodhimin e broshurave informative – duhet të miratohet nga ministri i Brendshëm, i cili mund të anulojë lejen nëse ai i konsideron “rrezik të sigurisë kombëtare”.
Nëse një OJQ vazhdon me një aktivitet të tillë, prokurorët hungarezë mund të veprojnë duke i vendosur gjoba të rënda dhe duke i shpërndarë përfundimisht ato.
Organizatat që mbështesin migracionin do të duhet të paguajnë tatimin mbi fondet e huaja ose pasuritë që marrin, thotë ligji, me një përjashtim të mundshëm mbi fondet që u shërbejnë qëllimeve humanitare.
Aktivistët që organizojnë ose mbështesin migracionin mund të përballen edhe me urdhra kufizues që i pengojnë ata të afrohen në kufijtë e jashtëm të BE në Hungari.
Soros ka hedhur poshtë fushatën kundër tij duke i cilësuar akuzat si “shtrembërime dhe gënjeshtra” që synojnë të krijojnë një armik të jashtëm të rremë.
Mediat pro-qeveritare kanë raportuar më herët se legjislacioni i ri mund të çojë në ndalimin e Soros, i cili ka shtetësinë e SHBA dhe Hungarisë, për të hyrë në vend.
Komiteti Hungarez i Helsinkit, një OJQ që ka ofruar mbështetje për të drejtat ligjore dhe njerëzore të grupeve të ndryshme duke përfshirë azilkërkuesit dhe të burgosurit që nga viti 1994, tha se projektligji ishte i papranueshëm dhe i shërben qëllimeve politike.
“Qëllimi i tij është të stigmatizojë disa organizata civile që qeveria nuk i pëlqen dhe t’i distancojë ata nga shoqëria, dhe në fund e bëjnë punën e tyre të pamundur”, tha Komiteti Hungarez i Helsinkit, i cili merr një pjesë të madhe të financimit të tij nga Soros.
Polonia, Hungaria dhe vendet e tjera ish-komuniste të vendeve lindore të BE-së kanë një qëndrim të fortë anti-imigracion, edhe pse numri i azil kërkuesve që duan të qëndrojnë në këto vende është shumë i vogël në krahasim me vendet e Evropës Perëndimore.