Published On: Mar, Mar 27th, 2018

Humb jeten nga fruthi 13 vjeçarja, ne gjendje te rende 3 fëmijë

Share This
Tags

Gjatë ditës së sotme një 13-vjeçare humbi jetën në fshatin Berishë të njësisë administrative Iballë në bashkinë e Fushë Arrëzit. Mjekët dyshojnë se kanë qenë komplikacionet e fruthit që kanë çuar në vdekjen e saj.

Mjeku i zonës së thellë malore Gegë Bejtja, i cili ka shkuar pranë familjes Smajli që ka humbur vajzën, bën të ditur se thuajse e gjithë familja është prekur nga një gjendje virale, ndërsa tre prej fëmijëve të tjerë të kësaj familje, një vajzë dhe dy djem janë dërguar drejt Tiranës.

Ministria e Shëndetësisë me t’u njoftuar nga Drejtoria e Shëndetit Publik ka dërguar menjëherë drejt zonës së thellë malore një helikopter, i cili pas disa tentativave ka arritur të ulet në zonë.

Situata mbetet e frikshme pasi familja Smajli ka hapur dyert e mortit ndërsa është thuajse e pamundur vendosja e një gjendje karantine, teksa pritet dalja e analizave që do të saktësojnë shkaqet që çuan në vdekjen e 13-vjeçares dhe përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të tre prej pjesëtarëve të tjerë të familjes në zonën e thellë malore, raporton News 24.

Drejtoria e Shëndetit Publik në Pukë ka ngritur një ekip lidhur me këtë rast, i cili pritet të mbërrijë në zonën e thellë malore për të parë nga afër gjendjen, ndërsa do të mësohet, nëse fëmijët e kësaj familje e cila jeton nën minimumin jetik ishin të vaksinuar.