Historia e Mata Harit, spiunes magjepsëse më të famshme në botë -Albpress Daily News
Published On: Sht, Nën 18th, 2017

Historia e Mata Harit, spiunes magjepsëse më të famshme në botë

Kinematografia është e mbushur me filma spiunazhi. Mund të rradhisim disa nëse do ishte nevoja. Megjithatë historia e Mata Harit është një nga ato që ngacmon imagjinatën e të gjithëve besoj: kërcimtarja e zhdërvjellët orientale që shndërrohet në spiunen e frikshme gjatë konfliktit të parë botëror, gjatë kohës që magjeps publikun e gjerë në teatrot më të mëdhenj të Europës. Në fakt kyështë versioni romantik që shumë prej nesh dimë.

Por cila ishte në të vërtetë Mata Hari?

Pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë jetës së saj një tis ekzotik falë aftësive të saj për të krijuar disa identitete të rreme, në fakt origjina e saj është mjaft e zakonshme: Lindi në 7 gusht 1876, në Leeuëarden në Hollandë, me emrin Margaretha Geertruida Zelle. Ishte më e madhja e 4 fëmijëve. Babai i saj ishte një sipërmarrës i suksesshëm që mund t’u ofronte një jetë të mirë familjes së tij.

Kur Margaretha ishte 4 vjeç, ai falimenton dhe braktis fëmijët e gruan për të jetuar me një tjetër femër në Amsterdam. Pas pak kohësh i vdes edhe e ëma. Kështu që në adoleshencën e hershme, kjo vajzë e re gjendet në mes të katër rrugëve pa asgjë në dorë. E dërgojnë tek kumbari, i cili e regjistron në shkollë për t’u bërë edukatore, por shpejt i duhet të ndërpresë studimet pasi një mësues dashurohet pas saj – gjë që e bëri shpejt të ndërgjegjshme se ç’efekt mund të kishte mbi meshkujt.

E gjatë dhe e famshme për sytë e mëdhenj dhe të errët, ajo nuk kish asgjë të përbashkët me bukuritë e vendit ku jetonte.

Në moshën 18 vjeçare gjendet e vetme dhe pa para, jeta e vështirë është gati për ta vënë poshtë. Një ditë, gjen një njoftim në gazetë ku një gjeneral, Rudolph Mac Leod kërkonte grua (në fakt ky njoftim ishte vendosur për shaka nga miqtë e tij). Magaretha i përgjigjet menjëherë njoftimit dhe kur takohen, ishtë dashuri me shikim të parë. Letrat e shkëmbyera janë pasionante dhe dëshmojnë se sa të çmendur ishin për njëri-tjetrin. Martohen në 1895 dhe së bashku lindin dy fëmijë, Norman (1897) dhe Louise (1898).

Pas pak kohësh zhvendosen në Giava, ku Margaretha, e cila e urrente jetën shtëpiake, vëren me kujdes dhe magjepsje kërcimet e zonës. Pikërisht këto do të jenë ato që do ta dallojnë atë nga të tjerat në vitet e arta të Parisit të shekullit të ri. Por në këtë periudhë, Mata Hari, është ende Margaretha dhe i shoqi rritet në detyrë e për këtë arsye u duhet të zhvendosen sërish. Këtë herë në brigjet lindore të Sumatras, ku shpejt u duhet të përballen me një tragjedi: fëmijët helmohen, me shumë gjasa nga dadoja. Helmimi vë në rrezik jetën e të dy fëmijëve, por teksa vajza mbijeton, djali nuk ia del dot dhe vdes.

Mac Leod i shkatërruar nga dhimbja nis të pijë: pas 7 vjetësh kthehen në Hollandë dhe ndahen. Rudolf nuk dëshiron që ish-bashkëshortja të ketë kujdestarinë e së bijës pasi mendon se ajo nuk mund të kujdeset si duhet për të, ndaj e merr me vete vajzën.

Margaretha rigjendet sërish vetëm, sërish pa para dhe i duhet sërish të rinisë jetën nga e para. Këtë herë vendos të shkojë në Paris. Punon si modele për piktorë dhe artistë të ndryshëm por nuk ia del dot me jetesën. Për këtë arsye tenton të rikrijojë veten si balerinë. Prezantohet si “Zonja Mac Leod, kërcimtarja ekzotike” dhe jep një spektakël kërcimi shumët ë guximshëm: interpretimin e saj të priftëreshave të zotit Shiva, të cilat teksa kërcejnë imitojnë një marrëdhënie dashurore me hyjnoren, gjë që çonte deri në zhveshjen totale.

Ky lloj spektakli rezulton shumë i suksesshëm, ndaj e ftojnë të kërcejë në Muzeun e Artit Oriental, para një publiku të përzgjedhur, i përbërë nga shkrimtarë dhe artistë. Ishte data 13 mars 1905, kur nën sugjerimin e drejtorit të muzeut, Zotit Guimet, ajo kërceu nën petkun e Mata Harit (syri i agimit, në gjuhën e Malajzisë).

Pa asnjë lloj përgatitje teknike kërcimi dhe falë një vendosmërie të pashoq, Mata Hari magjeps publikun francez të “Moulin Rouge”, “Trocadero” dhe “Folies Bergere”, me një spektakël që nuk kishte asgjë të përbashkët me eventet e tjera të qytetit. Ajo përshkruhej si “kërcimtarja indiane që ish sa e dëshiruar aq edhe tragjike”.

Njësoj siç krijoi një kërcim të vetin, ajo krijoi edhe një të shkuar të re të sajën, duke dhënë gjithmonë versione të ndryshme në intervista të ndryshme. Brenda vitit e gjen veten në të gjitha gazetat më të mëdha. E ftojnë të performojë në “La scala” dhe në Operan e Parisit. Njerëz të kalibrit të Giacomo Puccini-t kërkonin ta takonin tashmë.

Tërheqja sigurisht që vinte nga niveli i lartë i erotizmit të shfaqjeve së saj, ku dilte e veshur vetëm me bizhuteri që i mbulonin vetëm gjoksin dhe vithet.

Krijon në këtë mënyrë një numër të madh dashnorësh që e mbulonin me dhurata dhe i paguanin hotelet ku qëndronte, njësoj si një kurtizane e vërtetë.

Karriera e saj zgjat 10 vjet, deri në momentin kur tashmë rreth 40 vjeç dhe me konfliktin e parë botëror pas dere, detyrohet të kthehet në Hollandë. Atje tenton të rivendosë kontakt me të bijën 17 vjeçare, e cila refuzon ta takojë. Në këtë moment, Mata Hari mbështetet ekonomikisht nga një dashnor i vjetër. E gjendur përsëri në vështirësi, ajo vendos të riktheht në Paris për të marrë gjërat e saj që kanë ngelur atje, dhe pse jo, të luajë kartat e saj të fundit. Është vjeshta e vitit 1915. Përpara se të niset, i afrohet një konsull gjerman. Ai rekrutonte spiunë në shoqërinë e lartë; njerëz të spikatur, me shumë kontakte dhe të aftë të depërtonin në ambiente me njerëz të pushtetshëm.

Oferta ekonomike ishte e kënaqshme, ndaj Mata Hari pranon të punojë për ta nën emrin e koduar H21.

Udhëtimi i parë rezulton zhgënjyes për informacionin e parëndësishëm që arrin të marrë. Kërkon para të tjera dhe t’i jepet mundësi të rikthehet në Paris. Gjermanët pranojnë, por me kushtin e vetëm që të instruktohet nga spiunia e famshme Fraulein Doktor.

Kthehet në Paris dhe takon Vadim de Masslov, ushtarak rus, më i ri se ajo në moshë, me të cilin dashurohet marrëzisht. Në momentin që mëson se i dashuri i saj është plagosur rëndë në njërin sy, kërkon leje për të shkuar në Vittel. Atje takon shefin e shërbimeve franceze, Ladoux. Ky i fundit dyshon se Mata Hari punon për gjermanët, ndaj vendos ta vërë në provë: i propozon të punojë për shërbimet franceze. Mata Hari ka nevojë për para që të martohet me Vadim, ndaj vendos që t’i futet një loje të dyfishtë tmerrësisht të rrezikshme, për t’u treguar francezëve se është në lartësinë e duhur për detyrën e marrë, duke siguruar edhe shifrën për të cilën kishin rënë dakord.

E dërgojnë në Spanjë. Atje duhet të sigurojë informata ushtarake nga një diplomat i ambasadës gjermane, Arnold von Kalle. Ia del: zbulon një zbarkim të forcave gjermane në pjesën franceze të Marokut. Menjëherë u dërgon francezëve informacionin, por pavarësisht se ishte një joshëse e pashoq, ajo nuk e njihte vërtetë artin e spiunazhit: letrën e dërgon me postën normale, që lexohej si nga agjentët e von Kalle, ashtu edhe nga agjentët e tjerë të kundërspiunazhit ndërkombëtar. Këta të fundit prej kohësh e mbanin nën vëzhgim.

Një teori thotë se von Kalle, pasi zbuloi tradhëtinë e Mata Harit, dërgoi telegrame nga Madridi në Berlin, duke e zbuluar identitetin e Margaretha-s, në mënyrë që t’u tregonte se gruaja që punonte për ta nën emrin e koduar agjentja H21, u kish dhënë informata francezëve. Nga loja e saj e dyfishtë me shërbimet franceze dhe gjermane, Mata Hari e gjen veten sërish në telashe. Kur mbërrin në Paris, në shkurt të 1917, e arrestojnë në dhomën e saj në hotel “Elisee Palace” dhe e mbyllin në burgun Saint-Lazare, duke e lënë në të ftohtë, me shumë pak ushqim dhe në kushte shumë të këqija higjenike, me qëllimin e vetëm për të pasur një rrëfim të sajin.

Me rritjen e numrit të viktimave të luftës, për Kapiten Pierre Bouchardon dhe në përgjithësi për të gjithë ushtarakët e asaj kohe, ishte e vështirë të tregonin mirëkuptim apo tolerancë ndaj një kurtizaneje, për më tepër të divorcuar dhe që nuk tregonte asnjë shenjë turpi për jetën e saj të shthurur. Pavarësisht dëshpërimit, Mata Hari refuzon të pranojë se ka qenë ndonjëherë në shërbim të Gjermanisë, deri në momentin kur i tregojnë telegramet e gjermanëve, në të cilat në mënyrë eksplicite i referohen asaj si agjentja H21. Pikërisht në këtë momënt, vendos të tregojë të vërtetën: se si donte të përfitonte nga gjermanët vetëm para, pa u dhënë asnjë informatë atyre mbi veprimtarinë e francezëve dhe se nuk kishte dërguar kurrë informata nga Parisi.

As kjo nuk e kënaqi Kapiten Pierre Bouchardon. Në proçesin e majit të vitit 1917, Mata Hari u shpall e fajshme për akuzën “Spiunazh kundër Francës” dhe u dënua me vdekje. Nga të gjithë zyrtarët e përfshirë në çështje dhe që u përpoqën ta mbronin, askush nuk mundi të evitonte ekzekutimin e saj. Masslov që ishte shumë i dashur për të, nuk u paraqit në proçesin e saj gjyqësor dhe mohoi ta njihte për të shpëtuar veten.Sigurisht që kjo e dëshpëroi akoma më shumë ish-joshësen e parezistueshme.

Mata Harin e dërgojnë në një qeli me dy murgesha, për të evituar mundësinë që ajo të vriste veten. Ka shumë gojëdhëna mbi ditët e saj të fundit, ku thuhet se kërceu për dy fetaret ditën para ekzekutimit. Po kaq gojëdhëna ekzistojnë edhe për vetë ekzekutimin, në agimin e 15 tetorit të vitit 1917. E veshur me një fustan elegant dhe me një kapele të madhe mbi kokë, refuzoi t’i mbylleshin sytë. Nga 11 të shtëna, e kapën vetëm 3 plumba; një në gju, një në ijë dhe një në zemër. Askush nuk ia pa më trupin dhe e varrosën në një varr masiv.

Mbase më shumë se sa historia e një spiuneje, kjo është historia e një gruaje që vazhdon të gjejë forcë për të ndërtuar jetën disa herë nga e para, duke rikrijuar veten në shumë mënyra dhe në të njejtën kohë duke nënvlerësuar rreziqet e kohës së vështirë dhe të pamëshirshme të luftës. Nga aventurat e saj, duket e qartë që nuk ishte një spiune e vërtetë tipike, por një njeri që gjendej në vendin e gabuar, në momentin e gabuar. Historia e saj është treguar në shumë filma, ku më i spikaturi ngelet ai i vitit 1932 me protagoniste Greta Garbon.

 Gjithashtu, në një libër të kohëve të fundit të Paulo Coelho, “Spiunia”, për të thuhet:

“Mata Hari ishte ndër feministet e para: sfidoi meshkujt e kohës dhe zgjodhi pavarësinë. Nga historia e saj mund të nxjerrim një mësim edhe sot që të pafajshmit paguajnë ende me jetë akuzat e të fuqishmëve