Published On: Mër, Gus 16th, 2017

Gjermania është një vend i çuditshëm. Por, nuk do të ketë dramë dhe nuk do të ketë ndryshime

Gjermania është një vend i çuditshëm. Historia e saj ka parë metamorfoza konstante. Nuk është ndalur asnjëherë, dhe nuk ka pranuar asnjëherë një kundërgoditje, në brendësi të politikës evropiane. Gjermania e sotme është tërësisht demokratike. Ka kontrolle dhe ekuilibra të vendosura në Kushtetutën e saj, bashkë me fuqinë për të sfiduar qeverinë për shtetet federale. Politika e saj është e gjallërishme dhe me koalicione; madje, vetëm në Bavari një parti (CSU e Horst Seehofer) udhëheq një qeveri shumice.

Por pavarësisht sugjerimeve se Gjermania është e lodhur nga Merkeli, dhe pavarësisht përpjekjeve finale të rivalëve të saj, mos prisni asnjë përmbysje. CDU e Merkelit ka arritur rezultate shumë të mira në zgjedhjet e shteteve federale, në veri, Saarland dhe Schlesvig-Holstein dhe sondazhet sugjerojnë që partia e saj do të fitojë edhe në shtator – CDU ka afro 14 pikë avantazh ndaj socialdemokratëve (SPD) të udhëhequr nga Martin Schulz. Mendohej se Merkeli kish pësuar dëme politike përfundimtare pas pritjes së një numri të paprecedentë refugjatësh. Por kancelarja rifitoi çdo terren që kishte humbur për shkak të politikave të saj mbi imigrimin. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Schulzin. Dukej se ai përbënte një sfidë serioze ndaj Merkelit. Jo më.

SPD ka mbetur mbrapa në sondazhe. Udhëheqësi i saj dhe të tjerë kanë thënë se Gjermania është dragoi i Evropës, e ulur mbi një mal me flori. Schulz propozon që thesari të përdoret për të shtuar shërbimet publike dhe reduktuar papunësinë. Po kështu, ai dëshiron të vërë në diskutim planin e kursimit dhe të vendosë një taksë të re mbi pasurinë e atyre që fitojnë më shumë se 250 mijë euro. Politikat ekonomike të Merkelit kanë bërë mrekulli për Gjermaninë. Të shumtë janë ata që ndjejnë një sens të heshtur krenarie kombëtare në këtë fakt, dhe nuk e pranojnë tonin e Schulzit ndaj suksesit të tyre ekonomik. Nëse funksionon, përse të ndryshohet? Gjermania ka një marrëdhënie të çuditshme me ushtarakët e vet dhe popullsia e saj është kuptueshëm pacifiste.

Rrallëherë e dërguar jashtë vendit, Bundesvehri është ende e ngarkuar me mbrojtjen e brendshme dhe misione paqeje të OKB-së. Megjithatë, Ursula von der Leyen, Ministre e Mbrojtjes e Gjermanisë, ka propozuar reforma radikale në ushtrinë gjermane dhe një zgjerim të angazhimeve të saj ndërkombëtare. Schulzi e ka etiketuar këtë ambicie “Geschichtsvergessenheit”, një term i zakonshëm në Gjermani që tregon harresë të historisë naziste gjermane. Eshtë një qasje miope. Gjermania ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në kontinent dhe duhet të vendoset në pararojë të mbrojtjes evropiane. Shkurt, Schulz është përgjigja e gabuar për një numër të kufizuar pyetjesh. Gjermanët duan të shohin që të vazhdojë suksesi ekonomik dhe diplomatik i vendit. Kandidati i SPD është një “eurokrat” pa fantazi. Sa kohë që Gjermania është ekonomikisht dhe politikisht e fortë, nuk do të ketë dramë dhe nuk do të ketë ndryshime: Merkeli do të mbetet kancelare. / “Capx” – Bota.al